Aksidentohet në QSUT/ Spitali lë pezull në karrocë pacientin, 90 minuta në pritje të ambulancës

Një moskoordinim në spitalin "Nënë Tereza" ka bërë që një pacient të presë rreth 90 minuta  për të marrë shërbimin e autoambulancës. Zotëria që bëri denoncimin në Ora News tregoi se ju drejtuar QSUT për një vizitë të thjeshtë por u  përfshi në një incident që i dëmtoi këmbën.

Hamza Kurti këtë të martë ka sjellë vëllain në spital për një analizë të thjeshtë, por fatkeqësisht, në ambientet e spitalit ky pacient u përfshi në një incident.

I vëllai tregon se aksidentalisht një person u pengua  duke i shkaktuar, sipas tij dëmtim të njërës gjymtyrë.

"E solla për një analizë te Francezi, aty pa dashje një njeri u rrëzua dhe ra sipër tij dhe i theu këmbën, njërën këmbë e pati të thyer. Në dializë është. E solla në karrocë."

Përpara Urgjencës së QSUT, Hamzai nuk po gjen zgjidhje për vëllanë.

Sipas tij askush nuk po i vë në dispozicion një autoambulancë për ta transportuar në spitalin e Traumës.

"Duhet çuar te Ushtaraku por nuk ka ambulancë, nuk e di ku ta çoj. Të vras këtë apo veten."

Pasi telefonuam 127, ajo na  sqaroi se në rastet kur personat lëndohen brenda ambienteve të një spitali, është pikërisht ky insitucion që siguron autoambulancën.

"QSUT ka ambulancat e veta."

Në këto kushte ju drejtuan urgjencës së QSUT, i cili pas një orë e 30 minuta i dha zgjidhje qytetarit që vuante në karrocën e invalidit. 

"Pas një orë e gjysmë pritje u zgjidh. Faleminderit prej jush."