Zotimi i Bashës: Do të kufizoj pushtetin e kryeministrit në dy mandate!

8 dhjetorin ditën e rinisë, kryetari i opozitës Lulzim Basha, e kujtoi nëpërmjet një komunikimi virtual me të rinj nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi dhe mbarë diaspora.

Prej 8 vitesh, tha ai, Shqipëria ka dalë nga drejtimi i duhur duke bërë hapa pas. 

Varfëria, papunësia dhe  keqqeverisja, sipas tij janë shkak për largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Lulzim Basha: Ka nga ata që iu leverdis dhe që mbjellin këto ndjenja, të dorëzimit, të fatalitetit, të braktisjes  se vendit. E di dhe pse e bëjnë. E dini dhe ju. Kush më mirë se rinia nuk e di se pse e bëjnë, sepse kanë frikë prej jush. Sepse kanë frikë nga energjia e rinisë. Sepse kanë frikë nga revolta e drejtë e rinisë.

Ndryshimi, tha kryetari i opozitës, do të mbajë përsëri firmën dhe vulën e rinisë shqiptare.

Lulzim Basha: Ju jeni e ardhmja e këtij vendi dhe unë do të vazhdoj të siguroj që të keni mundësitë, të kërkoni dhe të ndërtoni, lumturinë tuaj, në vendin tuaj, këtu në atdheun tonë, në Shqipërinë tonë. Bashkë do ta largojmë të keqen, do ta bëjmë ndryshimin realitet.

Para të rinjve Lulzim Basha, tha se modeli i qeverisjes tregohet që në fillim.

Sipas tij, atë që nuk e arrin dot për 8 vjet, nuk e arrin dot as 80 vjet.

Ndaj Basha bëri një premtim të fortë për kufizimin e mandateve të Kryeministrit.

Lulzim Basha: Çfarë mund të japë më shumë një njeri pas 8 vitesh në pushtet. Asgjë më mirë, vetëm më keq. Pse duhet të kemi pushtetarë të përjetshëm, kur kemi kaq shumë potenciale, përfshirë të rinj e të reja të cilët sjellin një vizion të ri. Sjellin një përqasje të re, një mendësi të re.

Më herët në ditën e 8 Dhjetorit, kryetari i PD-së Lulzim Basha,  ish-kryeministri Berisha dhe drejtuesit e PD-së zhvilluan homazhe te Monumenti i Azem Hajdarit në sheshin "Demokracia" në Qytetin Studenti.