Masat shtrënguese/ Vetëm dy pasagjerë pozitivë, pala greke kthen pas gjithë autobusin
Greqia ka forcuar masat në hyrje nga Shqipëria përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, ndërsa ka lehtësuar daljen drejt vendit tonë në Kapshticë. Kush do të rezultojë pozitiv në testet e shpejta, do të kthehet në kufi.
Nga kjo e hënë, kushdo që rezulton pozitiv për koronavirus në testet e shpejta në kufi do ti ndalohet hyrja në Greqi, në zbatim të masave shtrënguese kundër përhapjes së virusit.
Rreth 50 persona u ndaluan, pasi ndodheshin në një autobus me dy udhëtarë që rezultuan mbartës të virusit.
Sipas burimeve, ata kishin me vete përgjigje negative, çka është kusht për të kaluar kufirin, por në testin e shpejtë që kryen pala greke rezultuan të prekur me Covid 19.
"Gjetën dy veta në autobusë, ne e bëmë testin dhe dolëm negativ."
Deri të dielën qytetarët që rezultonin pozitiv nga testet e shpejta detyroheshin të karantinoheshin për 14 ditë, por pas disa rasteve ku persona janë konfirmuar të prekur nga testet e shpejta, Athina vendosi të kthejë pas të gjithë udhëtarët.
"Vetëm ne me pasaporta, se ata me letra ikën."
Ndërkohë autoritetet greke kanë hapur vetëm në dalje drejt Shqipërisë pikën kufitare të Kapshticës në Korçë për disa kategori.
Nga ora 06:00 deri më 22:00, nga Greqia do të hyjnë vetëm këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë, kamiona mallrash.
Ndërsa autobusat, taksitë, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë.
Drejt Greqisë udhëtohet vetëm përmes Kakavijës në Gjirokastër.
Lexo edhe:
Greqia ashpërson masat në Kakavijë, ç’ndodh nëse rezulton pozitiv me Covid-19
/a.r, OraNews