Shpërndanin drogë, arrestohen dy persona në Fier/ Ja çfarë sekuestroi policia
Policia e Fierit godet një rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Gjatë aksionit kanë përfunduar në pranga 2 shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike, ndërsa janë sekuestruar 4 doza me kokainë, 19 doza me cannabis sativa dhe municion luftarak.
Të arrestuarit janë shtetasit K. S., 26 vjeç dhe I. T., 22 vjeç, banues në Baltëz, Fier.
Policia e Shtetit: Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e Policisë Fier, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Golf" me drejtues shtetasin K. S. dhe gjatë kontrollit në lokalin që ai kishte marrë me qira në fshatin Baltëz, ku punonte kamerier shtetasi I. T., kanë gjetur 4 doza me lëndë narkotike kokainë, 4 doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe disa fishekë luftarak.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. T. u gjetën 15 doza me lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. S., 26 vjeç dhe I. T., 22 vjeç, banues në Baltëz, Fier.