Në kërkim të vrasësve të policit, kontrolle në zonën ku ndodhi vrasja, shoqërohen 15 persona
Vrasja e efektivit të policisë Xhulio Prela vijon të jetë pa autor, ndërsa policia këtë të hënë ka ushtruar dhjetra kontrolle në zonën ku ka ndodhur krimi, pasi dyshohet se autorët janë nga e njëjta zonë. Kamerat e sigurisë, tabulatet telefonike dhe gjurmët e autorëve në automjetin e viktimës, pritet të ndihmojnë hetuesit për identifikimin e autorëve, të cilët dyshohet të jenë 3 persona.
Me shpresën për të gjetur autorët e vrasjes së efektivit 26-vjeçar, Xhulio Prela, policia e Lezhës dhe një grup i posaçëm i policisë nga Tirana kanë ushtruar kontrolle këtë të hënë në disa zona, por ende pa mundur të bien në gjurmët e tyre.
Kontrollet janë kryer në disa fshatra të Lezhës dhe Kurbinit, pasi dyshohet se autorët të jenë nga zonat përreth vendit ku ka ndodhur ngjarja.
Gjatë dy ditëve të fundit blutë kanë shoqëruar të paktën 15 shtetas, nën cilësinë e personave të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor dyshon se në ekzekutimin e 26-vjeçarit të kenë marrë pjesë 3 persona, ndërsa gjurmët e gishtërinjve të gjetura në automjetin e efektivit, pritet të zbardhin identitetin e tyre.
Pas rindërtimit të dinamikës së ngjarjes, hetuesit kanë arritur në përfundimin se efektivi Prela, pavarësisht se kishte me vetë armën e shërbimit, ai nuk ka tentuar ta përdorë për tu vetëmbrojtur në momentin e përballjes me atentatorët.
Pistoleta bashkë me telefonin janë gjetur një çantë të vogël që viktima e mbante vazhdimisht me vete.
Deri në këtë fazë hetimi policia dhe prokuroria e Lezhës ngrenë dyshime të forta se ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e Xhulio Prelës, por me ndonjë konflikt personal që mund të ketë pasur ky i fundit.
Ndërkohë në aparatin telefonik të viktimës janë gjetur të fshira të gjitha komunikimet që mund të ketë pasur, ndaj është kërkuar ndihma e kompanive telefonike për të vënë në dispozicion tabulatet telefonike.
Efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhulio Prela, u ekzekutua me armë zjarri pistolete në orët e para të mëngjesit të së shtunës, teksa po kthehej nga Kosmaçi i Shkodrës ku kishte dërguar një mik të vëllait të tij, i cili kishte ardhur nga Anglia përmes aeroportit të Rinasit pak minuta pas mesnate.