Ja ku do të bëhen testet e shpejta
Tashmë qytetarët nuk do të duhet të presin më me ditë të tëra për të mësuar nëse janë apo jo të prekur me koronavirus.
Prej kësaj të hëne do të nisë aplikimi i testeve të shpejta për vatrat e infeksionit.
Mjekja mikrobiologe, Blegina Arapi, shpjegon se testet e shpejta do të përdoren vetëm në vatrat e infeksionit, për të bërë ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit.
"Kur ka më shumë se dy raste pozitive atëherë vlerësohen si vatra dhe do të bëhet testimi me kitet e shpejta. Testi i shpejtë duhet bërë në ditët e para të shenjave klinike, rreth ditës së katërt apo të pestë të shenjave klinike."
Pas datës 20 dhjetor ato do të shpërndahen në të gjithë vendin në Qendrat Shëndetësore dhe do të jenë mjekët e familjes që do të vlerësojnë situatën.
"Nga data 20 dhjetor do të bëhet lidhja me mjekun e familjes dhe do të bëhet testimi me kitet e shpejta në bazë të referimit nga sistemi i referimit dhe në bazë të shenjave klinike".
Arapi gjithashtu shpjegon se paralelisht me testet e shpejta do të përdoren edhe PCR, siç ka funksionuar deri tani.
"PCR do të funksionojë në ato raste ku mjeku e gjykon që përgjigjia me kitin e shpejtë nuk është ai që pret sepse pacienti mund të ketë shenja klinike dhe do të vazhdojë testimi me PCR."
Sipas ekspertëve, testet e shpejta janë shumë të besueshme, ndërsa mendohet që në një moment të dytë ato të gjenden edhe nëpër farmaci.