"Dy gabimet e mëdha të Kosovës me Gjykatën Speciale" Haradinaj flet hapur: Ata që na sollën këtu po gabojnë sërish

 Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar përballë gazetares së Ora News, Matilda Mcini se ai ka qenë gjithmonë kundër ndërtimit të Gjykatës Speciale të Hagës.

Ramush Haradinaj për Ora News ka thënë se me votimin e nisjes së gjykatës u pranua para të gjithëve se “nuk jemi të zot për të gjykuar drejt që është gabim i madh dhe strategjik afatgjatë.

Ramush Haradinaj për Ora News: Ishte gabim votimi i kësaj gjykate. Në atë kohë unë personalisht dhe Aleanca nuk e ka votuar. Kemi qenë të hapur për gjykatën dhe jemi çdo herë për drejtësi e për gjyqësor, jemi të interesuar që të zbardhet e të vendoset e vërteta për viktimat në Kosovë, sepse ne jemi viktima.

Ne kemi kërkuar që t’i besohet ajo gjykatë Kosovës si çdo shtet i pavarur, njëkohësisht që të mos jetë një etnike. Këto dy vrejtje kemi pasur. Votimi i z. Thaçi, i z. Veseli, i PDK në atë kohë ka qenë gabim, për shkak se kanë pranuar të votojnë një gjykatë që ka shprehur direkt mosbesim për sistemin vendor të drejtësisë dhe në shtetin e Kosovës, për këtë arsye është vendosur jashtë vendit.

Njëkohësisht është edhe njëetnike, pra në atë kohë është menduar si një gjykatë vetëm për UÇK dhe mendojmë që është gabuar.

Ora News: A do duhej që politika e Kosovës të merrte të njëjtën iniciativë ndaj palës tjetër, asaj serbe?

Ramush Haradinaj për Ora News: Mendoj se Kosova ka pasur mundësi të votojë të njëjtën gjykatë por me seli në Kosovë, në kohën kur është kërkuar nga aleatët tanë amerikanë dhe evropianë por ti linim mundësinë e aktivitetit të kësaj gjykate edhe jashtë vendit. Te kerkoheshin dhe gjyqtarë ndërkombëtarë

Gabimi i parë ka qenë që kemi hequr dorë nga vetvetja dhe nga zotësia që ne të bënim gjykime të drejta, pa pasur parasysh përkatësinë etnike. Kemi pranuar para të gjithëve që nuk ishin të zot të gjykonim drejt, dhe ky është gabim i madh dhe strategjik, afatgjatë.

Serbia ka bërë atë që unë kërkoja një gjykatë në Kosovë. Serbia ka një gjykatë të veten në Beograd për krime lufte. Unë kam qenë subjekt i asaj gjykate, kam kaluar dy procese gjyqësore.

Tre herë kam kaluar nëpër filtra gjyqësore ndërkombëtarë.

Kosova ka arritur të votojë të njëjtën që ka Serbia për vete dhe kur dikush e kritikonte Kosovën, atëherë u tregoje, ata kanë qenë palë në luftë edhe ne, jemi ekuivalencë.
Pse duhej Kosova të bënte diçka ndryshe nga ajo që ka Serbia. Edhe nëse dikush kishte dalë të kritikonte, i thua që jemi në nivel të Serbisë që është aleat i rusëve dhe s’do kishte çfarë ti kërkonte dikush Kosovës nëse s’ja ka kërkuar Serbisë. Por klasa jonë politike atëherë u dorëzua gabim në respekt të aleatëve. Por dhe respekti ndaj aleatëve duhej të shkonte në përputhje me interesat e vendit.

Tani është gabimi i dytë që po bëjmë, duke e cilësuar këtë gjykatë si kundër UÇK-së dhe duke e luftuar politikisht. Nuk luftohet gjyqësori politikisht. Duhet të dëshmosh pafajsinë në gjykatë. Qasja e disave sot në Prishtinë është e njëjta me atë që kanë votuar. Të njëjtët që na kanë sjellë këtë gjykatë tani marrin prapë qëndrim të gabuar. Kthehen e thonë se kjo gjykatë është kundër Kosovës dhe kundër UÇK.

Ne nuk jemi të kënaqur se bashkëudhëtarët tanë janë në gjykatë, por nuk është gjykata kundër UÇK-së, është vendimi ynë që kemi marrë dikur kundër UÇK. Tani jemi në proces, edhe kur ndodh shqyrtimi gjyqësor, politika e ka problem. Duhet të marrësh certifikatën prej gjykatës se je i pafajshëm. Të gjithë duhet të fokusohemi si ta ndihmojmë këtë gjykatë dhe të vërtetojmë pafajësinë e njerëzve tanë.

Intervista me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.

https://www.youtube.com/watch?v=8T6iuGd6HHM&ab_channel=RTVOra