Haradinaj: Aktakuzat e Hagës të paralajmëruara, Hotit i dhashë njerëz të zgjedhur në qeveri
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetaren Matilda Mcini në Ora News.
Haradinaj ka treguar më shumë në lidhje me dorëheqjen e tij pas thirrjes për të dëshmuar sërisht në Hagë, duke e lënë Kosovën në një moment të vështirë.
Ai e ka vlerësuar dorëheqjen si një akt të duhur në momentin e duhur.
“Kur unë dhashë dorëheqjen, ishte një moment i vështirë për Kosovën. Dorëheqja ishte akt i duhur dhe dërgimi i porosisë se nuk do të bëhemi pjesë e axhendave të gabuara. Paralajmëroheshin aktakuzat potenciale dhe në të njëjtën kohë diskutoheshin edhe tema të rëndësishme për vendin, se si të arrihej në marrëveshje me dialogun e Serbinë apo në opsionet e shkëmbimit të territoreve ose lëvizja e kufinjve. Me qëllim që ti jepnim një stop trendeve të gabuara të asaj kohe, kam vlerësuar që dorëheqja është akti i duhur dhe dërgimi i porosisë që nuk do bëhemi pjesë e axhendave të gabuara”, ka thënë Haradinaj për Ora News.
Ish-kryeministri tha se ai ka dërguar njerëz të zgjedhur në qeverinë aktuale të Kosovës, duke pranuar përkrhajen për kryeministrin Avdullah Hoti në këtë periudhë.
“Kur ra qeveria Kurti, që ishte solide në vetëvete por humbi besimin e partnerit, në këtë rast LDK, vendi mbeti pa qeveri. Duke qenë në dijeni se pandemia do të zgjasë mbi një vit, ishte e pamundur që ta linim vendin pa qeveri dhe pa zgjedhje, gjë që do të krijonte pamundësi për t’u votuar ligjet, për t’u marrë vendime e duhura për pandeminë.
I kemi dhënë një përkrahje qeverisë Hoti që ka kushtëzime dhe kërkesa të veçanta. Nuk kam marrë vetë një punë por i kam dërguar në qeveri njerëz të zgjedhur, njerëz të shkolluar jashtë”, ka thënë Ramush Haradinaj për Ora News.
Intervista me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.