Zbulohet një tjetër varrezë masive në Serbi/ Dyshohet për trupat e 17 shqiptarëve të vrarë

Ditën e sotme janë gjetur në Kizevak mbetjet njerëzore, që besohet të jenë trupat e dhjetëra shqiptarëve etnikë të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, tha një zyrtar serb.

Kërkimi për viktimat mbetet një pengesë kryesore për përmirësimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, kur jemi më shumë se dy dekada pas përfundimit të konfliktit në Kosovë.

Për të gjetur varrin masiv në një minierë të hapur në Kizevak në jug të Serbisë, hetuesit përdorën imazhe satelitore.

Sipas kreut të Komisionit të Serbisë për Personat e Zhdukur, Veljko Odalovic, mendohet se mund të jenë rreth 17 trupa.

Ekspertja Suzana Matejic tha se hetimi i mëtejshëm do të frenohet për shkak të dimrit dhe kufizimeve të koronavirusit.

Më shumë se 13,000 njerëz besohet të kenë vdekur gjatë luftës në Kosovë. Luftimet përfunduan në 1999 pas sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë.

Shumica e viktimave ishin shqiptarë etnikë ndërsa ende qindra rezultojnë të zhdukur.

Zbulimi erdhi si pasojë e përpjekjeve nga Serbia, Kosova, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe EULEX, misioni i drejtësisë dhe policisë i BE-së në Kosovë.

Varri masiv më i madh nga lufta i gjetur deri më tani, që përmbante trupat e më shumë se 800 shqiptarëve të Kosovës, u gjet në 2001 në një kompleks policie afër Beogradit.