Rifillon dialogu Kosovë-Serbi

Javën e ardhshme më 10 dhjetor pritet të rifillojnë takimet ndërmjet shefave të delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Këtë e konfirmoi të premten zëdhënësi Peter Stano.

Mund të konfirmoj se ekziston ideja që javën e ardhshme të zhvillohet takimi në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel”, tha Stano, duke mos dashur që të japë hollësi të tjera rreth takimit dhe temave që eventualisht do të mund të diskutohen.

Kanë kaluar gati tre muaj që nuk zhvillohen takime të nivelit e lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, takimi i fundit në nivel ekspertësh u zhvillua më 29 tetor në Bruksel kur palët diskutuan për pretendimet financiare dhe të pronave.

Në BE vazhdojnë të pohojnë se qëllimi i dialogut është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve.

Sipas vetë të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të gjitha marrëveshjet për temat specifike do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Edhe pse zoti Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, kanë pohuar se dialogu po shkon mirë, diplomatët në BE pranojnë se ai është ngadalësuar dhe shkak kryesor për këtë është situata e brendshme politike në Kosovë.