Nën masa strikte dhe pa tifozë/ Tirana-Partizani, mega-derbi i pazakontë i kryeqytetit
Megaderbi i futbollit shqiptar vjen të premten për të luajtur simfoninën e parë të këtij sezonit të çuditshëm nën masat strike, të diktuara nga pandemia.
Derbi është ndeshje që ndez kampionatin dhe bën kryeqytetin të flasë, por ndryshe nga më parë, në “Air Albania” nuk do të jenë prezent tifozët, ata që me banderolat dhe koret e tyre i japin përmasa të jashtëzakonshe.
Tirana po kalon një moment delikat, ashtu si një sezon më parë, por derbi mund të jetë ilaçi për t’i kthyer bardheblutë në korsinë e shpejtësisë...
“Tirana e ka të vështirë të ndizet, por kur ndizet nuk fiket më”, deklaroi trajneri Nevil Dede në prezantimin e tij.
Deri tani bardheblutë nuk kanë shfaqur në asnjë ndeshje simptomat e ekipit që fitoi titullin kampion, por mbase kanë pritur derbin...
Elton Kale dhe Jurgen Çelhaka që dhanë një kontribut të madh në fitimin e titullit nuk janë gati për shkak dëmtimi. Për të njëjtin motiv mungon edhe Albion Avdijaj.
Dede ka ndryshuar shpesh javë pas jave dhe akoma nuk është i bindur për foramcionin startuese. Duke u bazuar tek stërvitjet e fundit, pritet të përdor këtë formacion:
Në portë Bakaj, në të djathtë rikthehet Toshevski, në të majtë Ismajlgeci ndërsa në qendër Najdovski dhe Hoxhallari.
Batha dhe Giamfi në mesfushë, pak më i avancuar Torasa, i cili vjen pas një mungesë të gjatë ndërsa Halili e Danso pritet të operojnë nga e djathta në të majtë në mbështetje të Ernest Muçi në majën e sulmit.
Nëse Tirana po vuan, Partizani po shijon marrjen e kreut, që vazhdon ta mbaj edhe pas derbit.
Ilir Daja ka bërë një punë mjaft të mirë, duke iu marrë maksimumin lojtarëve, pasi iu ka gjetur pozicionin ku shprehen më mirë në fushë.
Brain Braun nuk dotë jetë i gatshëm, pasi është infektuar me Covid-19, ndërkohë Melo dhe Kevi Llanaj kthehen në dispozicon të stafit teknik.
Me rreshtimin 4-2-3-1 në portë pritet të jetë kapiteni Alban Hoxha, përpara tij Bitri dhe Belica, Hakaj në të majtë, ndërsa Idrizaj djaththas.
Në qendër të mesfushës pritet Kote së bashku me Brojën.
Me rikthimin e Asanit në gjendje optimale reparti i avancuar mund të ndryshojë. Anësori mund të luajë në të djajthtë, në qendër Bardhi ndërsa majtas Solomon ose Mala, në mbeshtetje të Lukas Kardozo.
Tirana-Partizani është programuar për tu luajtur të premten, në 18:00.