"Nuk kam falsifikuar asnjë dokument tërë jetën!" Luan Daci do apelojë vendimin

"Nuk kam falsifikuar asnjë dokument tërë jetën!" Këto janë fjalët e vetme që anëtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Apelit tha menjëherë pasi doli nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Sot në mesditë Gjykata e Posaçme shpalli fajtor Luan Dacin për akuzën e falsifikimit të dokumentit ndërsa dënimin me 6 muaj burg e konvertoi në 12 muaj shërbim prove.

Avokati i gjyqtarit Daci, zoti Jordan Daci e quajti vendimin një precedent të rrezikshëm.

"Ky është një precedent shumë i rrezikshëm, sepse i hap rrugë një praktike shumë të keqe në raport me falsifikimin e dokumenteve në Shqipëri."

Daci nënvizoi se do të apelojë vendimin.

Prokuroria kërkoi dënimin me 1 vit burg. Sipas SPAK gjatë aplikimit për tu bërë pjesë e KPA, Daci kishte fshehur faktin se ndaj tij KLD kishte vendosur masë disiplinore në vitin 1997 çka mund të përbënte shkak për të mos u emëruar në organet e vetingut.