Aktivistët thirrje qeverisë nga fundi i "Rrugës së florinjtë": Anulo koncesionin Milot-Fier
Pas deklaratave të qeverisë për miratimin e kompanisë që fitoi koncesionin për ndërtimin e autostradës Milot-Fier, përfaqësues të shoqërisë civile kanë deklaruar se do ta dërgojnë dosjen në SPAK. Në protestën e zhvilluar në Fier, Aulon Kalaja shprehet se ka pasur mungesë transparence prej institucioneve.
Dhënia me koncesion e segmentit rrugor Milot- Fier për 35 vite dhe me një kosto 1.4 miliardë euro është kundërshtuar nga shoqëria civile.
Pas lajmeve për miratimin e kompanisë fituese, Aulon Kalaja, shprehet se atë që konsiderohet "rruga e florinjtë" do ta dërgojnë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Aulon Kalaja: Lëvizjen e kemi nisur me 1 gusht për ta kundërshtuar. Kemi bërë disa takime. Nga Fieri kërkojmë të anulohet koncesioni i rrugës Milot-Fier dhe të gjithë këto energji dhe para të shkojnë për pandemi.Po bëjmë gati një dosje për në SPAK bashkë me avokatët tonë të aktivistëve. Kemi fakte të pakundërshtueshme. Qeveria ka bërë gabim, më mirë të tërhiqet në këto momente sesa ne ta çojmë në gjykatat e Arbitrazhit.
Në protestën e zhvilluar në Fier, Kalaja theksoi se nuk ka pasur transparencë për procedurat e ndjekura.
Aulon Kalaja: Ndodhemi në Fier, në pikën fundore ku do të mbarojë e ashtuquajtura “Rrugë e florinjtë”, projekti koncesionar Milot-Fier, një rrugë e famshme tashmë. Zgjodhëm datën 1 dhjetor, 5 mujorin e çeljes së tenderit. Me 1 korrik Balluku shpalli tenderin e Milot-Fier. Kjo rrugë për tu aksesuar do të dojë 20 euro vajtje-ardhje. Që në fillim e kemi kundërshtuar këtë rrugë me PPP. 115 km nuk do të ndërtohen të reja, 63 janë të bëra ku shqiptarët po ecin pa pagesë. Kryeministri ka thënë se rruga do të kushtojë 1.2 mld euro, ndërsa para tre javësh tha 1.4 mld euro. Kjo është rruga më e shtrenjtë në Europë, në Kroaci po ndërtohet e njëjta rrugë 7 herë më lirë. Ky tender është i paragjykuar se nuk ka transparencë dhe konkurrencë, firma greke Terna e ka fituar në prapaskenë. Kjo është një vjedhje galopante, vetëm 52 km do të kushtojnë 1.4 mld euro.
Segmenti Milot-Fier do të ketë një gjatësi prej 115 kilometrash dhe është pjesë e korridorit adriatiko-jonian.