Vodhën 8 mln lekë bizhuteri në një argjendari, arrestohen dy vëllezërit më Tiranë

Dy vëllezër u arrestuan në Tiranë pasi akuzohen se vodhën bizhuteri me vlerë 8 milionë lekë në një argjendari. Dy të rinjtë i kishin shitur një pjesë të bizhuterive, ndërsa policia sekuestroi pjesën tjetër të mallit por gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjet edhe një sasi droge.

Dy vëllezër të moshës 27 dhe 29-vjeç u arrestuan nga policia e Tiranës të dyshuar si autorë të vjedhjes së bizhuterive në një argjendari në kryeqytet.

Arlind dhe Arvid Spahija, akuzohen se vodhën bizhuteri me vlerë 8 milion lekë të vjetra.

Ndalimi i dy vëllezërve, me precedent të mëparshëm penalë, u bë pas denoncimit të pronarit të argjendarisë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

I dëmtuari është paraqitur pranë komisariatit nr.2 ku denoncoi se dy persona të maskuar kanë hyrë në biznesin e tij dhe kanë marrë bizhuteritë dhe më pas janë larguar me një automjet tip “Mercedez-Benz”.

Pas marrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë, grupi hetimor ka realizuar zbulimin e identitetit të dy autorëve të vjedhjes dhe më pas arrestimin e tyre.

Blutë, gjatë kontrollit në banesën e dy të akuzuarve gjetën bizhuteritë e vjedhura, një sasi parash, veshjet e përdorura gjatë vjedhjes, automjetin me të cilin janë larguar si dhe dy aparate celularë.

Paratë të cilat iu sekuestruan dy vëllezërve Spahija mësohet se ishin përfituar nga shitja e disa prej bizhuterive të grabitura në argjendari.

Arrestimi i dy të rinjve u bë në kuadër të operacionit të koduar “Brothers”, ndërsa gjatë kontrolleve policia gjeti 53 gram kokainë.

Në njoftimin zyrtar policia e Tiranës tha se po vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.