Një vit pas tërmetit, Rama bën bilancin: Janë financuar 9655 familje, bashkëpunim me KE dhe Francën

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pas një viti nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, një bilanc paraprak për shpenzimet e qeverisë për rindërtim.

Rama ka bërë me dije se në qytetin e Durrësit janë angazhuar 30 kompani me 4.208 punëtorë për rehabilitimin e shkollave, kopshteve dhe banesave, teksa ka shtuar se po bashkëpunohet me Komisionin Europian dhe qeverinë franceze për vazhdimin e investimeve.

Kreu i qeverisë ka qartësuar se “Në Durrës:

• Angazhuar 30 kompani me 4,208 punëtorë në kantiere

• Ndërtuar 5 shkolla e kopshte dhe 6 në ndërtim e sipër. Nisin së shpejti edhe 19 shkolla e kopshte të tjera, nga të cilat 3 me fondet e qeverisë shqiptare dhe 16 me fondet e donatorëve

• 50 banesa drejt përfundimit dhe 350 të tjera në ndërtim e sipër. Nisin së shpejti edhe 380 banesa me fondet e qeverisë shqiptare dhe 2000 apartamente me financim nga Emiratet e Bashkuara

• Kanë përfunduar riparimet e 145 pallateve me dëme të lehta. Po riparohen mjediset e përbashkëta në 458 pallate me dëme DS2 - DS3 dhe së shpejti nis riparimi i tyre në 157 pallateve të tjera të kësaj kategorie, si edhe rikonstruksioni i thellë i pallateve me dëme DS4

• 9,655 familje janë financuar me grante meremetimi të apartamenteve nga 100 mijë deri ne 500 mijë lekë, me një total prej 3,192,050,000 lekë ose rreth 32 milionë USD

• 4,135 familje trajtohen me bonus qeraje prej muajit dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi

• Po punohet së bashku me Komisionin Europian për projektet e mbrojtjes e restaurimit të monumenteve të prekura të kulturës dhe rritjes së cilësisë së shërbimit në objektet e trashëgimisë kulturore

• Po finalizohet marrëveshja me qeverinë franceze për financimin e vazhdimit më tej të investimeve për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve të Durrësit

• Po kryhen vijimësisht riverifikime të mëtejshme për familje kryesisht jashtë vendit që kanë ngritur pretendime për nivelin e dëmit të banesës dhe askush nuk të jetë kurrë vetëm”

Për këtë fushatë ai ka vendosur të ndjekë sloganin “Si një familje”.

LEXO EDHE: Një vit pas tërmetit: Rama në Abu Dabi, firmos “financimin e 2000 apartamenteve në Durrës