Gjici kërkon falje pas kritikave të Ramës: Nuk e menduam gjatë heqjen e titullit për Surroin

Kreu i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka kërkuar ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut, lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.

Në një postim në facebook pas kritikave të kryeministrit Rama mbi këtë vendim,  Gjici sqaron se duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale.

Vetë kreu i qeverisë Rama e cilësoi vendimin e këshillit një lajthitje kolektive.

Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve/ Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!"

Publicistit dhe politikanit Kosovar Veton Surroi, iu hoq titulli “ Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015. 

Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur sot pas pretendimeve se ka zhvilluar fushatë kundër UÇK.