BOOM: "Nuk e dua më jetën", një vit pas tërmetit 50-vjeçari nga Sukthi fle në oborr

Emisioni "BOOM" në Rtv Ora solli këtë të premte në rubrikën "Shqipëria pa filtra", rastin e Eqerem Lames, banor i fshatit Kullë Njësia Administrative Sukth.

Tërmeti i 26 nëntorit bëri të pabanueshme shtëpinë e 50 vjeçarit.

Edhe pse nga momenti në moment shtëpia rrezikon shembjen, 50 vjeçari invalid së bashku me djalin vijojnë të banojnë aty. 

"Është një shtëpi që e kam bërë me sakrifica, me invalidetin tim. Është e pabanueshme, erdhën 4-5 herë edhe nga inxhinieria e Fierit u futën brenda, panë dhe filmuan dhe nuk më dhanë përgjigje. Për të aplikuar nuk vajta se u sëmura, duhet miqësi dhe shoqëri. Më thoshin paguaj që të fitosh atë. Çfarë të paguaj unë me 160 mijë lekë invaliditet? Fle këtu jashtë me çunin, kam frikë për atë. Nuk dua lëmoshë as shtëpi të re por të më riparojnë këtë që të fle i sigurt. Dy herë desha të vetëvritesha, të helmohesha, çfarë e dua këtë jetë kështu?

 Motra e tij që kujdeset për të tregon sesi i sajuan një kasolle për të jetuar pas tërmetit.

"Ditë e para të tërmetit që ishte më lëkundje të mëdha i pastrova këtë kasollen këtu dhe ka jetuar këtu një muaj e ca dhe pastaj u sëmur. E çova në Elbasan në spital. Bashkia e Sukthit e ka mbajtur me mashtrime, nuk ka ardhur fondi, në fund tha do ti dërgojmë. Që pas aplikimit deri sot asgjë. Ne si motra kërkojmë një dhomë të rehatshme për të, mendjen këtu e kemi. Vinte gjarpri këtu. Të kesh një vëlla të sëmurë nuk të gjen shpirti rehat."

Gazetarja e BOOM u interesua edhe te Njesia Administrative Sukth. Punonjës të kësaj njësie kanë sqaruar se  në kohën që janë bërë aplikimet  për shtëpitë e demtuara nga termeti, Eqeremi ka qenë në spital dhe nuk ka aplikuar, por  kjo njësi i  ka dërguar Bashkisë së Durrësit kërkesë për të rishikuar rastin e 50 vjeçarit.