Vrau nga pakujdesia shokun ndërsa kishin dalë për gjah, arrestohet 27 vjeçari, sekuestrohet arma e krimit

Gjuetia e paligjshme përfundoi me vrasjen e një 22 vjeçari në Fushë Bulqizë.

Viktimë mbeti Elidon Basha, ndërsa policia e Dibrës arrestoi shokun e tij Klodian Kola, 27 vjeç i cili dyshohet se qëlloi aksidentalisht.

Ngjarja u shënua gjatë natës në Kodër Danë, ku Elidon Basha sipas të dhënave mori një plumb në shpatull me armë gjahu.

Ai fillimisht u dërgua në Spitalin e Bulqizës për ndihmë mjekësore, por për shkak se aty mungon kirurgu është nisur drejt Peshkopisë.

Atje ka marrë ndihmën e parë, por gjendja sëhtë rënduar dhe rreth rreth orës 02 :30 është nisur drejt Tiranës për trajtim të specializuar.

Ai ndërroi jetë rrugës për shkak të gjakderdhjes.

27-vjeçari i dyshuar për vrasjen e aksidentale ka mohuar akuzën.

Klodian Kola ka deklaruar se ata u qëlluan nga një person i tretë, duke shtuar misterin se çfarë ndodhi gjatë gjuetisë.

Por policia tha se pas punës hetimore u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit tip 'kallashnikov', me të cilën autori nga pakujdesia plagosi me pasojë vdekjen 22-vjeçarin.

Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale motomjeti me të cilin kishin lëvizur për gjueti, një armë gjahu, një pushkë sportive, një gjerdan me fishekë, një elektrik dore si dhe rrobat me njolla gjaku që autori kishte veshur në momentin e ngjarjes.

Policia njoftoi se veç arrestimit të 27-vjeçarit procedoi penalisht edhe prindërit e autorit të dyshuar.

Ata mësohet se e kanë ndihmuar të riun të fshehë motorin me të cilin ka lëvizur i arrestuari dhe viktima e po ashtu kanë fshehur robat me njolla gjaku të cilat mbante veshur autori, në momentin e ngjarjes.

Po në bashkëpunim ata kanë çmontuar e pastruar armën e gjahut të cilën i arrestuari e ka patur në momentin e ngjarjes.

27-vjeçari Klodian Kola do të përgjigjet për akuzat " Vrasje nga pakujdesia", "Armëmbajtje  pa leje","Prodhimi dhe mbajta pa leje e armë të gjuetisë" si dhe   "Drejtimi i mjetit në mënyrë të pa rregullt", ndërsa prindërit e tij për veprën penale "Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës".

LEXO EDHE- Bulqizë: Gjuetia e paligjshme përfundon në dramë. Vritet Elidoni 22 vjeç, shoqërohet shoku i tij

Kush e vrau Elidonin? Mister i vrasjes në gjueti. Shoku: Plumbi erdhi nga dikush tjetër