UÇK "nxeh" Kukësin/ Gjici lë nam, i heq titullin Veton Surroit për shkak të Hagës

Publicisti dhe politikani kosovar Veton Surroi nga kjo e premte nuk është më mes njerëzve të nderuar të Kukësit.

Këshilli i Qarkut, i përbërë vetëm nga socialistët vendosi ti heqë titullin “Qytetar nderi” me të cilin ishte nderuar në vitin 2015.

Në atë kohë Surroi u vlerësua për “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.

Ndërsa socialistët e Kukësit titullin ia hoqën me preteksin se ka ndërrmarrë fushatë mediatike e politike kundra Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Safet Gjici, kryetar i Bashkisë së Kukësit nën logon e PS, mbrojti me zell vendimin.

Safet Gjici: Jo vetëm që ai ka marrë një titull për të mbrojtur Kosovën, për të mbrojtur UÇK, se kështu thotë, madje ka shkuar deri atje që thotë ka dhënë kontribut për shpallje të pavarësisë së Kosovës. Si ta kuptojmë ne këtë. Ai ka ndërmarrë një fushatë, politike, mediatike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë nder qarku. Çfarë nderi qarku është? Duhet ta heqim sot dhe ta çojmë në Gjykatë. Realisht deri sot ai flet gjithë ditën kundër asaj për të cilën ka marrë nderi i qarkut nga ana jonë. Dhe kjo i bie ndesh vetes së vetë, ndesh Kosovës dhe ne t'i lëmë titullin nder i qarkut?

Kryeministri e quajti lajthitje vendimin e të tijëve në Kukës, duke uruar që Prefekti ta refuzojë.

Por ai e ka shfrytëzuar këtë precendet edhe për luftën me Presidentin.

Edi Rama: Parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.Ky vend s'mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s'ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s'ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd.

Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.

Lexo dhe:
Kukësi i hoqi titullin “Qytetar Nderi”, Rama reagon për Veton Surroin: Vendimi i Këshillit, lajthitje kolektive

Gjici kërkon falje pas kritikave të Ramës: Nuk e menduam gjatë heqjen e titullit për Surroin