Gjendja e rënduar me pandeminë, Meta letër Ministres Manastirliu me 11 propozime nga mjekët
Ashtu si edhe opozita, presidenti Ilir Meta kërkon nga Ministria e Shëndetësisë të hape spitalet rajonale për trajtimin e personave të infektuar me koronavirus.
Të premten Kreu i Shtetit zhvilloi një takim me ekspertë të shëndetësisë, në përfundim të së cilit adresoi 11 propozime për përballimin e situatës së rënduar të pandemisë.
Presidenti sugjeroi futjen në përdorim të testeve të shpejta në mënyrë që të shkurtohet koha e marrjes së përgjigjes.
“Duhet të sigurohet aparatura ECMO për shpëtimin e jetës, për rastet e rënda të këtij infeksioni në spitalet tona. Duhet të bëhet njësimi favorizues i çmimeve të testeve covid, për t’i hequr një barrë të rëndë ekonomike familjeve shqiptare si dhe duhet të shtohet numri i testimeve.”
Po ashtu Meta propozon rikthimin në detyrë të infermierëve dhe mjekëve që kanë dalë në pension.
“Të shpejtohen proçedurat e liçencimit të mjekëve, për të rritur numrin e tyre në shërbimin mjekësor. Duhet një qasje multisektoriale në përballjen me pandeminë. Protokollet duhet të përditësohen dhe është shumë e rëndësishme të përfshihen edhe reanimatorët.”
Për Presidentin masat e marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk vlejnë për të gjitha qytetet ndaj theksoi nevojën e ngritjes së ekipeve epidemologjikë në nivel rajonal.
Kreu i Shtetit propozon që vendimet të mos jenë imponuese por të argumentuara dhe bindëse në mënyrë që të gjejnë mbështetjen e qytetarëve.


