Rritet numri i rasteve të mashtrimeve gjatë pandemisë, dhjetra denoncime në Prokurori

Periudha e pandemisë ka rritur ndjeshëm numrin e mashtrimeve, aq sa në Prokurorinë e Tiranës vijnë me dhjetra denoncime nga policia dhe qytetarë të mashtruar.

Me qindra persona të dëmtuar në mënyra të ndryshme, enden gjykatave duke kërkuar drejtësi, ndërsa autorët pavarësisht se rezultojnë të dënuar disa herë në mungesë, në shumë raste i shpëtojnë arrestimit.

Avokatët dhe juristët thonë se viktimat në mashtrime, janë qytetarë që kanë blerë banes ate persona që i kanë shitur disa herë njëkohësisht, por edhe agjensitë turistike.

“Këtyre firmave të ndërtimit që kanë administratorë problematikë, janë mashtruar disa herë duke shitur një apartament disa herë. Ka pasur raste kur një apartament është shitur 10 herë. Ose raste kur agjensitë turistike me shitjen e biletave, raste të borxheve që një person ka mashtruar njerëz të tjerë duke i marrë para në mënyra të ndryshme.”

Por nuk ka munguar dhe mashtrimet me ilaçe që pretendojnë se kurojnë Covidin.

“I mashtrojnë me çmimet e ilaçeve, por problematika më e shpeshtë është ajo e borxheve që njerëzit marrin në një subjekt, një person që jep lekë dhe mashtrohen se duan të zgjidhin një problem dhe lekët si marrin më.”

Gjykatat kanë vendosur dënim me burg për autorët, por pavarësisht kësaj, fenomeni vijon të ketë rritje.

“Janë marrë masa arrest me burg. Megjithëatë në disa raste të tjera, personat nuk janë gjendur dhe janë në arrati. Masa është ekstreme, gjithmonë arrest me burg. Prokuroria gjithmonë atë kërkon dhe gjykata e miraton.”

Drejtoria e Pastrimit të Parave ka dhënë alarmin se gjatë pandemisë, kriminelët kanë shfrytëzuar situatën për të mbledhur fonde me organizata bamirëse fictive, mashtrimet në fushën e mjekësisë dhe shitjet në internet të ilaçeve të falsifikuara dhe furnizuese të mjekësisë siç janë pajisjet e testimit dhe ato që shërbejnë për mbrojtjen personale kanë qenë të shumta.