Mediu: Rama po minon 25 prillin, vendi është në regjim korruptiv

Situata e rënduar e pandemisë në vend dhe kostoja e lartë e kurimit, për kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mbetet problemi jetik që po hasin shqiptarët sot.

Pandemia është bërë një problem jashtëzakonisht i madh, një pjesë njerëzish e kanë kaluar me vështirësi, me mundime, disa kanë humbur njerëz të afërm. Unë do të thoja që të gjithë duhet të bëjnë kujdes maksimal”, është shprehur Mediu.

Në takimin me drejtuesit e partisë në njesinë nr 3 në Tiranë, Mediu u ndal edhe tek situata politike në vend, ku kritikoi kryeministrin Rama, se po minon procesin zgjedhor te 25 Prillit.

“Edi Rama në këtë proces që ne nisëm, si asnjë kryeministër tjetër nuk ka bërë asnjë kompromis për reformën zgjedhore, e kërkuar kjo në mënyrë të qartë nga BE. Edi Rama, bëri një marrëveshje  për 5 qershorin të cilën nuk e respektoi edhe pse ishte e mbështetur nga SHBA-ja, Britania dhe BE”, është shprehur Mediu.

Për kreun e PR, vendi është kthyer në një regjim korruptiv në dëm të interesave kombetare.

Ne sot jemi në një shtet jo funksional, nuk kemi gjyqësor, kemi një parlament qesharak, një lloj tragjikomedie që luhet në  atë parlament në dëm të interesave tona. Kemi një qeveri që nuk është më as e majtë dhe as e djathtë, as e rilindjen ,as e partisë socialiste. Është një regjim korruptiv i cili shkatërron në mënyrë të vazhdueshme mundësitë dhe interesat e shqiptarëve”, është shprehur Mediu.