Të dytët në botë/ Shqiptarët s'i ndal as pandemia, të dytët pas sirianëve për azil në BE

Shqipëria renditet e dyta në botë për numrin e lartë të azilkërkuesve në raport me numrin e popullsisë , duke lënë pas vetëm Sirinë.

Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), rezulton se vendi ynë ka rreth 23 aplikime për 100 mijë banorë. Në muajt mars, prill dhe maj, është reflektuar një rënie e fluksit, por që prej qershorit është në rritje.

Në raport theksohet që në shtator është regjistruar numri më i lartë i aplikimeve që nga fillimi i pandemisë. Gjatë kësaj periudhe numërohen 655 aplikime, 417 prej të cilave ishin për herë të parë. 63% prej të cilave ishin të reja, ndërsa bie në sy edhe numri i lartë i riaplikimeve.

Në krahasim me një muaj më parë, numërohen 252 aplikime më shumë. Kërkesat janë përgjysmuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, për shkak të kufizimit të lëvizjes si pasojë e pandemisë.

Vetëm në muajin shtator janë kthyer 763 vendime negative, ndërsa vetëm 8 persona kanë marrë statusin e refugjatit. Më shumë se 3000 çështje rezultojnë të lëna pezull prej më shumë se 6 muajsh, ndërkohë që sipas njoftimeve të dhëna nga vetë policia shqiptare, dy javët e fundit janë realizuar 4 operacione riatdhesimi nga Franca dhe Anglia, ku në total janë kthyer 112 shtetas që kishin kërkuar azil në këto vende.