Covid-19 'kyç' edhe Parlamentin? Anulohet seanca e nesërme

Koronavirusi shtyn seancën plenare të planifikuar për ditën e nesërme.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka bërë një kërkesë pranë Komitetit Teknik të Ekspertëve për të bërë një interpretim lidhur me vazhdimin ose jo të punës normale të Parlamentit.

Vendimi i Kuvendit vjen një ditë pasi Komiteti vendosi moslejimin e asnjë aktiviteti me mbi 10 persona, qoftë në vende të hapura apo të mbyllura.

Njoftimi i Kuvendit:

"Të nderuar kolegë, Në zbatim të Vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 17.11.2020 dhe të Urdhërit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Shoqërore nr. 633, datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, Kryetari i Kuvendit vendosi që të mos zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 19 nëntor 2020.

Në respekt të zbatimit të këtyre masave, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i është drejtuar Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Shoqërore, znj. Ogerta Manastirliu,  për të bërë një interpretim lidhur me vazhdimin e seancave plenare të Kuvendit.

Puna në komisionet parlamentare vazhdon online".

LEXO EDHE

Nga sot qeveria ndalon dasmat, varrimet, tubimet e mbledhjet partiake