Nga Tirana e së kaluarës ka mbetur shumë pak, do zhduket edhe ajo nëse nuk sensibilizohemi

Tirana ka  ndryshuar shumë në këto 76 vjet.  Ka pasur debate të shumta mbi transformimet që janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në kryeqytet.

Për të folur mbi këtë tematikë, ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në"Ditë e Re" në Rtv Ora, historiani Hasan Bello.

Arjon Muça: Çfarë ka mbetur nga Tirana e së kaluarës?

Hasan Bello: Nga Tirana e së kaluarës ka mbetur shumë pak dhe kam frikë se do të mbesë akoma edhe më pak, ndërse nuk do të ketë një sensibilitet shoqëror, pavarësisht qëndrimeve politike të secilit. Po të shikosh qendrën e Tiranës sot është sikur kemi një fatkeqësi natyrore, jo shoqërore.  

Arjola Shehu: Kur na vijnë miq nga jashtë, nuk kemi shumë çfarë të ju tregojmë nga aspekti historik, ndoshta duhet të mburremi me lokalet. Ky degradim besoj se ka ardhur këto 30 vitet e fundit.  Më kujtohet një mjek polak që thoshte se ju keni një mal shumë të bukur, pra Malin e Dajtit. Një kryeqytet që shikon malin, çfarë ju duhen kullat ose ndërtesat e larta që ju pengojnë të shikoni një gjë natyrore.

Arjon Muça: Në shtypin e ditës sot diskutohej për Sahatin e Tiranës, që ndoshta po prishej, ndoshta po dëmtohej nga ndërtimet që po bëheshin pranë tij. Keni informacione në lidhje me këtë?

Hasan Bello: Informacione kemi plot, por Sahati, Bashkia e Tiranës dhe Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, konsiderohen si ansambël muzeal. Në shumë pak vende kemi tre objekte shumë të rëndësishme afër. Madje, do të ishte diçka shumë e bukur për turistët e huaj, por fatkeqësisht edhe aty po bëhet një godinë, e cila do të prishë të gjithë imazhin e qendrës së Tiranës, të këtij ansambli  muzeal.

Arjola Shehu:  Sa katëshe pritet që të bëhet kulla pranë Sahatit?

Hasan Bello: Nuk kam informacion, por edhe sikur një  kat të bëhet, atë pamjen e bukur të këtij ansambli, e  prish.

Arjon Muça: A nuk duhet të kishte një koncept rregullator, i cili do të vendoste se cilat do të ishin zonat me rëndësi historike, në të cilat nuk duhej ndërtuar?

Hasan Bello: Kjo është shkelje flagrante dhe këtu kanë përgjegjësi të gjithë institucionet që merren drejtpërdrejt me monumentet e kulturës. E gjithë shoqëria civile duhej të kishte më shumë sensibilitet për gjithë qendrën e Tiranës.  

Arjola Shehu: Ku jemi ne në të gjithë këtë histori?

Hasan Bello: Ne nuk jemi askund, pasi është një fatkeqësi kombëtare e popullit shqiptar që historikisht, shqiptarëve u kanë imponuar, u kanë vendosur në rrethana të atilla, sa të mendojnë vetëm për bukën e ditës, të gojës. Detyrimisht, një shoqëri që mendon vetëm për t'u ushqyer, unë them që nuk jeton, por zvarritet për të mbijetuar. Mbijetesa është niveli kafshëror i një krijese. Duke qenë që të gjithë jemi të detyruar për të mbijetuar, kemi rënë në nivelin kafshëror të të menduarit.

Arjon Muça: Objektet për ne nuk kanë vlerë?

Hasan Bello: Nuk kanë vlerë, edhe njerëzit kanë frikë të them të drejtën, pasi një pjesë e mirë e personave që kanë një farë sensibiliteti, punojnë në administradë dhe nuk është e lehtë të punosh në administradë në shtetin shqiptar, dhe të dalësh të mbrosh një objekt, një kullë në qendër të Tiranës. Pra, është një gjë e pamundur.  

Kjo nuk do të thotë se nuk do të vijë një moment kur shteti është i dobët, por mund të forcohet në një X moment historik dhe sigurisht që këto persona që kanë dhënë leje, apo kanë ndërtuar do të mbajnë përgjegjësi edhe juridike. Nuk është shumë  e vështirë për t'i prishur ato kulla, është shumë e lehtë.