Pronat e sekuestruara të krimit do të jepen me qira për strehimin social

Bashkitë do të kenë mundësi të shtojnë kapacitetet për strehimin social duke përdorur pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara. Procesi do të nisë nga pushteti vendor, megjithatë për to do të duhet dhe vendimi i këshillit të ministrave.

Pronat e sekuestruara e të konfiskuara si pasuri të vëna me aktivitet të paligjshëm do të përdoren si banesa sociale që do të jepen me qira.

Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se në rast se ndërtesat bëhen pjesë e fondit të banesave për të pastrehët bashkitë duhet t’i kërkojnë mbështetje Ministrisë së Financave për administrimin ose kalimin në pronësi të tyre.

Ky proces duhet të realizohet pasi pushteti vendor të ketë verifikuar mundësitë e përdorimit të objektit të konfiskuar.

Megjithatë gjithçka do të realizohet pas një vendimi nga këshilli i ministrave

Në ato raste kur pronat do të administrohen nga bashkitë si banesa sociale me qira do të shënohen në regjistrin e ngritur nga këto njësi.

Ky regjistër do të përmbajë të dhëna të pronës nisur nga planvendosja, planimetria, gjendja e apartamentit, vlera e investuar, viti kur ka përfunduar ndërtimi dhe kur janë bërë rinovimet si dhe subjektin e ngarkuar për ta menaxhuar atë.

Bashkitë brenda muajit dhjetor të çdo viti duhet të raportojnë për numrin e banesave sociale të regjistruara dhe formën e sigurimit të tyre.

Edhe në ato raste kur ato janë siguruar vetëm me të ardhurat e pushtetit vendor me anë të dhurimit ose formave të tjera.