Banorët e Sharrës, protestë për tokat e zaptuara, Landfilli i lë pa përgjigje
Edhe pse kanë javë që kërkojnë projektin e zgjerimit të landfillit, banorëve të Sharrës ende nuk iu është paraqitur një plan konkret nga firma që administron atë.
Këtë të martë u drejtuan pranë zyrave të landfillit, por edhe pse pritën për gati 2 orë gjithçka rezultoi e kotë .
Banori: Momentin që ne erdhëm këtu njoftuan rojen që të mbyllë portën. Nuk japin asnjë lloj shpjegimi, ne vijmë këtu për të kërkuar projektin, ku do shkojë projekti, ku do ndalojë.
Banorët thonë se me zgjerimin e landfillit jo vetëm që kanë humbur tokat e tyre por edhe puset dhe burimin e ujit duke i detyruar ta blejnë ujin.
Banorja:Kanë marrë ujin në radhë të parë, ja ku janë puset atje, kanë marrë tokat as nuk na kanë shpërblyer asgjë.
Thonë që landfilli sa vjen dhe zgjerohet ndërsa ata e mësojnë këtë vetëm kur vendoset gardhi
Banoret: Ne na kanë vënë thjeshtë rrjetën, mos kaloni më në tokë. Nuk e marrim vesh, kur të vijnë vetë se ne nuk dimë gjë.
Akuzat ja drejtojnë kryebashkiakut Erion Veliaj që nuk interesohet për banorët por bën propagandë për të paraqitur të vërtetën ndryshe.
Banori: Z.Veliaj nuk na ka kushtuar dhe as nuk do na kushtojë ndonjëherë vëmendje. Ai vetëm ka futur firmën me koncencion aty dhe firma vazhdon punë.
Banorja: Këtu te ne të na qajnë hallin asnjë nuk ka ardhur.
Banorja: Bëjnë intervistë këto që kanë bërë që i kanë gërmuar të gjithë, që kanë zënë puset, pse nuk e bëjnë këtu intervistën ata, po fotografojnë plepat dhe jonxhën.
Ndaj kërkojnë nga shteti dëmshpërblim për tokat e tyre me cmimin e tregut ndërsa nga landfilli projektin e plotë të zgjerimit.
Banorja: Na e morën shtëpinë fare, ku do shkojmë ne.
Banorja: Tokën e morën, rrugë nuk ka, ujë nuk ka.
Banorja: Të na dëmshpërblejnë, të mos na zgjerohet më landfilli, të rrinë të paktën shtëpitë ku jemi.
Sipas banorëve me zgjerimin e landfillit priten që të zhvarroset dhe eshtrat 500 vjeçare në varrezat e fshatit.