Policia "zapton" Baldushkun
Banorë të fshatit Mustafakoç në Baldushk janë përleshur me policinë këtë të hënë datë 16 nëntor, në mbrojtje të disa ndërtesave ku ata mbajnë bagëtinë. Sipas një vendimi qeverie zona do të përdoret për ndërtimin e banesave për ata që humbën shtëpitë nga tërmeti, por banorët e zonës thonë se i kanë fituar ndërtesat me vendim gjykate, ndaj shembjen e tyre e cilësojnë joligjore.
TIRANE- Forca të shumta të policisë zbarkuan këtë të hënë në fshatin Mustafakoç për të shembur 4 magazina në zonë që më herët janë përdorur si rezerva të shtetit gjatë komunizmit, e më pas janë blerë nga banorët e zonës.
Banorët kanë penguar shembjen e tyre, duke u bazuar në një vendim të gjykatës së shkallës së parë që i njeh ata si pronarë të ndërtesave, ndërsa pritet shqyrtimi i çështjes në gjykatën e apelit
"Nuk ka bërë vaki edhe serbi dhe greku, i ka goditur shtëpitë në kufi, ai prish sot e 700 vjet, tokën ime. Vjen tjetri ta merr me forcë, me zor."
"Ti marrë me gjithë ça kemi, ku ta çojmë, shife si është bërë, të hysh të shohësh atje ti, skandal." - u shprehën banorët
Ndërhyrja e policisë solli edhe përplasje me banorët, të cilët nuk u lejuan të merrnin bagëtinë.
"Kam pulat brenda, nuk më lënë ti nxjerr. Mallin, ushqimin, lopët që kemi ku do shkojmë ne, ku do mbytemi."- tha njëra nga banoret.
Banorët aksionin e krahasojnë me Lazaratin
"As në Lazarat nuk ka pasur kaq prezencë policore, sikur i kemi borxh të madh shtetit."
Sipas një VKM-je në zonë do të nisë ndërtimi i banesave publike për të akomoduar personat që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit.