Politika Apokaliptike e së Djathtës Populiste, New York Times: Një zgjidhje shqiptare (s')funksionon në SHBA!

Media prestigjioze amerikane New York Times, ka publikuar një opinion të Ivan Krastev, i cili është kryetari i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje, bashkëpunëtor i përhershëm në IWM (Instituti i Shkencave Humane) në Vjenë.

Ai është një anëtar i bordit themelues të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe anëtar i bordit të kujdestarëve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe është një kontribues për The New York Times.

Në shkrimin me titull “Politika Apokaliptike e së Djathtës Populiste” - studiuesi shkruan ndër të tjera se: “Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale 2016 u përjetua nga shumë populistë të djathtë në Evropë si një pikë kthese e rëndësishme. Ishte versioni i tyre i vitit 1989, kur rrëzimi i Murit të Berlinit bëri që liberalizmi të dukej i pandalshëm dhe triumfues. Populistët e krahut të djathtë nga Hungaria në Britani besuan se nëse Z. Trump mund të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, e ardhmja do t'u takonte atyre. Humbja e Presidentit Trump në vitin 2020 mund të shkaktojë ngritjen e një vizioni shumë më të errët.”

Krastev në analizën e tij, përqëndrohet tek e ardhmja e populistëve në Europë, dhe domethënia e zgjedhjeve amerikane për mbarë populistët europianë që kanë refuzuar deri më tani të urojnë presidentin e zgjedhur Joe Biden.

“Duke refuzuar të pranojë rezultatin, Z. Trump u dërgon një mesazh aleatëve të tij se për populistët e djathtë, zgjedhjet e ardhshme nuk kanë asnjë rëndësi; se nëse ata pranojnë sot, nesër nuk do të ketë fitore. Nëse në vitin 2016 mesazhi i Z. Trump ishte se e ardhmja u përket populistëve nacionalistë, sot, duke refuzuar të pranojë humbjen e tij, ai dërgoi mesazhin se populistët duhet të kishin frikë nga e ardhmja”-shkruan studiuesi i njohur.

Teksa thotë se po vjen një kohë e keqe për populistët, Krastev në New York Times nuk lë pa përmendur me ironi-sigurisht, “rastin shqiptar” që mund të zgjidhë situatën amerikane, por që nuk janë kushtet për një gjë të tillë.
Shkrimi në New York Times mbyllet:

A mund ta ndihmojë përvoja evropiane, Amerikën të merret me realitetin e zgjedhjeve të kontestuara? Fatkeqësisht jo.

Merrni parasysh këtë: Në 30 vjet që nga fundi i Komunizmit, shqiptarët kanë votuar nëntë herë në zgjedhjet parlamentare. Vetëm në tre raste partia humbëse ka pranuar humbjen.

Në shumicën e rasteve ishte partia e opozitës që refuzoi rezultatet e zgjedhjeve dhe u kërkoi mbështetësve të saj të dilnin në rrugë.

Zakonisht, u desh Ambasada Amerikane në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, për ta detyruar humbësin të pranonte realitetin. Në emergjencën aktuale amerikane një "zgjidhje shqiptare" nuk do të funksionojë sepse nuk ka Ambasadë Amerikane në Uashington.

Amerikanët duhet ta zgjidhin vetë këtë krizë. Dhe mënyra se si ata e zgjidhin atë do të përcaktojë të ardhmen e demokracisë në të gjithë botën.