Von der Leyen telefonon Ramën, flasin për integrimin dhe investimet e BE-së
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula nov der Leyen.
Kjo e fundit në një postim në twitter shkruan se me shefin e qeverisë shqiptare folën për integrimin, ekonominë dhe Investimet e BE-së në Ballkan.
"Diskutim konstruktiv si gjithmonë me mikun tim të mirë Kryeministrin Edi Rama për mënyrën më të mirë për të ecur përpara me procesin e zgjerimit dhe zbatimin e shpejtë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor’, shkruan Von der Leyen në llogarinë e saj në Twitter.
Një ditë më parë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca bëri me dije se BE ka dhuruar 103 mln euro për integrimin e Shqipërisë në BE dhe rimëkëmbjen e BE.
Më herët kryeministri Rama ka pasur biseda telefonike me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe me përfaqësuesin e BE, Joseph Borrell, ku në fokus të bisedave kanë qenë reformat e Shqipërisë për rrugën e saj drejt BE.