Shqipëri-Itali, bashkë kundër krimit të organizuar. SPAK, trajnime te DIA italiane

Forca speciale shqiptare të antikrimit e investigimit, të specializuara  kundër krimit të organizuar e korrupsionit, shumë shpejt do të trajnohen në Itali pranë Departamentit të Antimafias Italiane DIA.

Lajmi vjen sot nga autoritetet italiane pas një video konference të zhvilluar mes autoriteteve më të larta policore shqiptare e ato italiane.

 "Ilustrimi i mënyrës së punës, struktura organizative e Departamentit të Antimafias italiane, DIA, në luftë kundër mafias vendase e asaj të huaj, e si pikë referimi për Zyrën e re për Hetime Speciale e ngritur nga autoritetet shqiptare të investigimit që do të merret me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", qe objekti i videokonferencës së zhvilluar sot mes autoriteteve policore italiane e ato shqiptare.

Autoritetet italiane informojnë se aktualisht mes dy vendeve janë ngritur shtatë ekipe hetimore të përbashkëta, për të luftuar krimin e organizuar ndërkufitar e janë aktivizuar projekte të ndryshme ndërkombëtare të financuara nga BE për të luftuar krimin e organizuar në kufijtë mes dy vendeve e jo vetëm.

Autoritetet italiane përmes Drejtorit të Antimafias italiane Maurizio Vallone kanë ofruar disponueshmërinë për të trajnuar pranë Departamentit të Antimafias Italiane, forca të policisë shqiptare duke iu ofruar mundësinë e njohjes nga afër me kompleksitetin e punës e qasjen italiane në parandalimin e luftën kundër krimit të organziuar.

Edhe në këtë videokonferencë është forcuar idea e krijimit të një tavoline teknike pune e përhershme me synimin e përcaktimit të strategjive të përbashkëta të natyrës tekniko-operative në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Në këtë videokonferencë për palën shqiptare morën pjesë Shefi i Prokurorisë Speciale për krimin e organizuar e korrupsionin e drejtor i Zyrës Hetimore Speciale, Arben Kraja e për palën italiane Drejtori i Departamantit të Antimafias Maurizio Vallone e Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i sigurisë publike Vitorio Rizzi.