Spitalet Covid, Abilekaj: Nëse ka vende si thotë Rama, krim që po lihen njerëzit rrugëve e në autoambulanca
Analisti, Enton Abilekaj, kritikon qeverinë për mbylljen e laboratorëve në kulmin e pandemisë për të favorizuar koncesionin e laboratorëve.
Për Rtv Ora, ai tha se kryeministri sakrifikon jetën e njerëzve për të fituar koncesionari para.
Abilekaj: Kryeministri u nxeh për koncesionin e laboratorëve Genc Sulçebe dioli kundër koncesionit të laboratorëve jo se ka interesa të veta por laboratorët po mbyllen në kohën kur laboratorët duhen më shumë. Gjatë këtij viti në Maqedoni janë hapur dy laboratorë të rinj për Covidin, në Shqipëri po mbyllen laboratorët sepse do ti marrë koncesionari. Në gjithë botën shtohen analizat, në Shqipëri mbyllen sepse do ti marrë koncesionari. Gjithë bota mendon për jetën e njerëzve, këtu sakrifikohen jetët e njerëzve për të fituar koncesionari para. Ky është problem shumë i rëndë. Për të mbrojtur një koncesionar kryeministri sakfrifikon jetët e njerëzve, linçon çdo njeri që i del kundër dhe nuk pyet fare për pasoja.
E ndërsa qeveria thotë se në spitalet Covid ka vende mjaftueshëm dhe opozita akuzon për të kundërtën, Abilekaj thotë se nëse pretendimi i qeverisë është i vërtetë atëherë po bëjnë krim duke lënë pacientët rrugëve apo në autoambulanca.
Abilekaj: Kemi dëshmi pa fund sesi njerëz shumë të sëmurë nuk rrinë dot më shumë se një javë në spital se duhet të zihet vendi. Paguajnë vetë shpenzimet. Nëse do të kishte vende në spitale nuk kanë pse nxirren prej tij dhe të kurohen në shtëpi.Nëse do të kishte vend kryeministri mund të thërriste një kamera të një televizioni që nuk e ka nën kontroll. Unë uroj të mos ketë vende se nëse ka dhe i lënë njerëzit rrugëve apo kurohen nëpër autoambulanca atëherë është krim. Uroj të mos jenë duke kryer një krim, por janë të paaftë për të menaxhuar situatën.
Ka akuza edhe se po manipulohen shifrat e të vdekurve me koronavirus. INSTAT ka publikuar 1300 vdekje më shumë se njëjta periudhë e një viti më parë, shifër shumë më e lartë krahasuar me 10 vitet e fundit, me një rritje 25%.
Abilekaj: Është një gjë për tu hetuar, autoritetet nuk lejojnë informacionin dhe as të kërkosh për të gjetur diçka të vërtetë. Thuhet që kanë shkuar më shumë se 7 të vdekur dje në morg ndryshe nga sa është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë. Edhe INSTAT raporton, por nuk tregon shkaqet e vdekjes. Është i vetmi vend Shqipëria, ndoshta edhe Korea e Veriut, që nuk japin asnjë informacion për këtë çështje. Ata që njoh në rrethin tim që janë të sëmurë të gjithë po kurohen në shtëpi, të gjithë bëjnë vizita e analiza në klinika private, po paguajnë ilaçet vetë.
Qeveria ndërkohë ka parashikuar 1.2 mld për të sëmurët me COVID.
Abilekaj: Duhet të përcaktonte se cilat ilaçe do të rimbursohen dhe në cilat farmaci. Për bazë do të merret ajo recetë që kryeministri publikoi dje në media me 130 mijë lekë që në shumicën e rasteve është e pamjaftueshme. Ajo recetë duhet të shndërrohet në protokollin zyrtar të kurimit të sëmundjes që të mos abuzohet nga mjekët dhe farmacitë. Fakti që merr propozimin nga PD tregon se nuk po qeveriset vendi. Merren aty këtu ide, receta, krijohej një propagandë që nuk ka lidhje me qeverisje, është në pushtetin e një propagande që nuk lejon askënd të marrë informacion dhe të thotë të kundërtën.