Rama firmos me naftëtarët në Fier: 400 mijë lekë ndihmë ekonomike në muaj për një vit

40 mijë lekë do të marrin për një vit naftëtarët e ballshit të cilët për 43 ditë rezistuan në grevë urie. Për të siguruar fondet,  Komisioni i Ekonomisë ka kërkuar rishikimin e buxhetit. Ndërsa pas takimit me protestuesit kryeministri Rama deklaroi se po bisedohet me tre kompani për rafinerinë.

Komisioni i Ekonomisë ka kërkuar prej drejtorisë së buxhetit të rishikojë fondet, për tu kaluar naftëtarëve të Ballshit paratë e premtuara prej Kryeministrit.

Anastas Angjeli: 560 milion aq do të vendoset, ata do të marrin të gjithë shpërblimin që ka thënë Kryeministri.

Vetëm pak orë pas këtij vendimi, kreu i qeverisë Edi Rama ka udhëtuar drejt Fierit  për tu takuar me ata që rezistuan 43 ditë në ngujim.

Pas rreth një orë bisedimesh naftëtarët u shprehën optimist për zgjidhjen, por do të vazhdojnë përpjekjet për rrogat e pa dhëna.

Dautaj: Me zgjidhjen që marrim sot jemi të kënaqur kurse për detyrimet e prapambetura mbetet të ndiqet rruga ligjore. Kërkuam një kompromis që katër pagat e para të merren dy e nga dy, brenda këtij muaji dy paga dhe brenda muajit të ardhshëm dy paga të tjera. U hodh ideja për të sjellë kompani të ndryshme por ne jemi skeptik deri në ardhjen e kompanisë.Janë 870 naftëtarët që do të përfitojnë nga listëpagesa.

https://youtu.be/ScniZAnbsgo

Kryeministri Rama bëri të ditur dhe shumën që do të marrë secili prej tyre.

Rama: Çka ne kemi vënë në dispozicion si mbështetje për 870 naftëtarë, punonjës dhe punonjëse të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre. Natyrisht që në këtë kohë kaq të vështirë ku duhet të kalkulojmë çdo ditë si asnjëherë në eksperiencën time për të qenë largpamës se jemi në kushtet e një paparashikueshmërie për shkak të Covid nuk është e lehtë por sidoqoftë jemi të bindur se kemi bërë gjënë e duhur duke vendosur një pagë 55 mijë lekë bruto dhe 40 mijë lekë neto për 12 muaj.

Sipas Ramës negociatat për vënien në punë të rafinerisë së përpunimit të thellë të naftës po vazhdojnë me tre kompani të huaja.

Rama: Më lejoni të shijoj këtë moment kaq pozitiv dhe njerëzor ku realisht kemi qarë hallin bashkarisht si një familje dhe kemi materializuar moton tonë që askush nuk do të jetë vetëm. Natyrisht nuk i kemi të pakufizuara mundësitë por ky grup njerëzish mendon një vëmendje të veçantë.Nuk jemi dorëzuar sa i përket perspektivës së rafinerisë megjithëse kërkon investim të konsiderueshëm për shkak të teknologjisë së vjetër.

Vazhdojmë intensivisht procesin, i kemi dhënë kohë të mjaftueshme këtyre njerëzve për të marrë frymë lirisht, në momentin që do të jetë investitori dhe do të rindizet rafineria ata do të marrin pagat e tyre. Jemi në kontakt me tre kompani, janë kompani të mëdha dhe të rëndësishme por koha që jetojmë është jashtëzakonisht problem, që e kemi hasur me disa projekte tona, edhe aeroportin e Vlorës.

Kemi një lajm të mirë për veprën e madhe 1.2 miliard për pjesën më të rëndësishme të korridorit blu nga Miloti në Fier, gjithashtu jemi në proces për të hapur dritën jeshile për portin e Durrësit dhe Vlorës dhe aeroportin e Sarandës. Të gjitha do të ishin shumë më të lehta nëse nuk do të kishte hyrë në mes Covidi, por kam besim që në një kohë të arsyeshme, nuk mund të vë afate, rafineria do të rindizet.

https://youtu.be/2Ex9luYW_fU