Rama nis premtimet në Fier, akuza opozitës për qëndrimet në mënaxhimin e pandemisë
Partia Socialiste në takimet elektorale fajëson Partinë Demokratike për situatën e krijuar në shoqëri për shkak të Covid-19.
Kryesocialisti Edi Rama nga Fieri në vend që të reflektojë mbi ankesat e qytetarëve mbi vonesat e tamponëve apo ngritjen e laboratorëve të rinj u tregoi atyre se kur ka qenë për herë të fundit opozita në spitale.
Rama: Të nxjerrin përditë e përditë helm nga goja, për të helmuar miletin e për të çoroditur dynjanë për qëllime politike, për qëllime pushteti. Nuk kam parë, nuk kam dëgjuar as rreth e rrotull nesh në rajon. Ja ku e keni Kosovën, mund të bëhen kritika patjetër, por nuk kam dëgjuar në Kosovë që të flitet në çdo sekondë me këtë gjuhë. 99% e atyre që flasin për spitalet tona, fatmirësisht nuk kanë shkuar në spital që nga koha e Saliut dhe janë me atë memorie e 99% atyre që i besojnë ato që thonë për spitalet, janë me atë memorie. Nuk janë më spitalet e Saliut në Shqipëri.
Edi Rama kërkoi një mandat të tretë për të plotësuar premtimet që nuk i mbajti dot në 7 vite qeverisje.
Rama: Është një ndryshim i papërfunduar që duhet të vazhdojë sepse janë të gjitha në mes. Shqipëria që ne duam, nuk është kjo që kemi e në këtë pikë.
Dhe për të hyrë në historinë e vendit dhe të Partisë Socialiste ai ka nisur sulmet ndaj Presidentit Ilir Meta dhe LSI-së.
Rama: Ishte e mundur të bashkëpunoje me Ilir Metën dhe me ndërmarrjen e tij, sot nuk ka më asnjë mundësi. Sot është një ndërmarrje e degraduar me një ortakëri të dalë boje komplet, mes njërit që duhet të bëjë presidentin e në fakt bën sekserin e asaj ndërmarrje dhe një tjetre që duhet të jetë zonja e parë e vendit dhe në fakt bën menaxheren e ndërmarrjes. E gjithë ajo që përfaqëson në Kushtetutë, në të drejtë dhe në zakon, institucioni i presidentit është kthyer në një komedi të madhe, për të qarë e për të qeshur.
Më e zbutur është retorika e tij politike me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Rama: Përdor deri edhe një ish president, por edhe ish rreshter për të nxjerrë patllaken dhe për të asgjesuar kandidaturën e djalit të Fahriut apo përdor një ish themelues të partisë dhe një ish ministër për vite e vite për të ekonomizuar dëmet, duke i ngulur thikën Babales.
Qeveria ka zgjedhur një zgjidhje të përkohshme për kërkesat e naftëtarëve por dhe për privatizimin e kompanisë ai ka gjetur fajtor.
Rama: E vërtetë që atë situatë e ka krijuar kompania, por kompaninë e ka krijuar Saliu, bashkë me Ilir Metën.