Pacientët me Covid trajtim në spitalet rajonale, "Omer Nishani" hap dyert për të infektuarit në gjendje të lehtë
Të sëmurët me Covid-19 nga Gjirokastra nuk do të duhet të vijnë në Tiranë nëse gjendja e tyre shëndetësore nuk është e rëndë. Ata do të trajtohen në spitalin e qytetit ku ditën e enjte u hap shërbimi ditor për të prekurit nga virusi.Trajtimi i të sëmurëve në spitalet rajonale synon të shmang ngarkesën e krijuar në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 410 të infektuar me koronavirus dhe 8 vdekje.
2 mijë e 5 raste me koronavirus janë identifikuar vetëm në 4 ditët e para të kësaj jave.
Rritja e pandalshme e infektimeve dhe numri i lartë i pacientëve me të cilën po përballen 3 spitalet Covid në Tiranë ka detyruar shpërndarjen e fluksit edhe në spitalet rajonale.
Të enjten në spitalin "Omer Nishani" në Gjirokastër është hapur shërbimi ditor për pacientët e prekur nga Covid-19.
Në dhomën me 4 shtretër do të trajtohen personat gjendja e të cilëve nuk përbën rrezik për jetën dhe shtrimi në Tiranë i tyre nuk është domosdoshmëri.
Duket se zbatimi i skenarit të katërt të Ministrisë së Shëndetësisë, që është hapja e spitaleve rajonale për të sëmurët me koronavirus, do të nisë nga Fieri.
Kujtim Llapi, drejtori i Kujdesit Shëndetësor Parësor thotë se ky spital do të vihet në shërbim të pacientëve të rajonit jugor.
"Mendoj që mund të hapet spitali rajonal i Fierit nëse ka shtim fluksi. Si spitali i Fierit, qoftë i Vlorës apo Gjirokastrës i kanë të gjithë kapacitetet si në pjesën e Infrastrukturës ashtu dhe burimet njerëzore".
Të enjten situata e koronavirusit në vend njohu një përmirësim të lehtë.
Ministria e Shëndetësisë raportoi për 410 persona të infektuar dhe 8 vdekje.
