Salihu: Me aktakuzat po goditet UÇK-ja e Kosova, ndërsa gjenocidi serb nuk po ndëshkohet

Në një intervistë për RTV Ora, analisti Fitim Salihu u shpreh se është e vështirë që të ndahen idealet, parimet dhe kokat që e kanë udhëhequr UÇK-në.

Ai tha se nga ana tjetër, gjenocidi serb nuk po ndëshkohet dhe po vendoset paqja para drejtësisë, duke u marrë me të mirë Serbia dhe po pretendohet që kështu të vihet paqe e stabilitet në rajon.

Salihu: Është e vështirë që të ndahen idealet, parimet dhe kokat që e kanë udhëhequr UÇK-në. Po t'i shohim aktakuzat është krejt e qartë se nuk kanë të bëjnë me individë, por më gjitha UÇK-në, duke e quajtur si një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Ky term nënkupton shtabin e përgjithshëm, komandantët e përgjithshëm dhe të tjera struktura operative. Kjo nënkupton që është nën hetim e gjithë ushtria UÇK-së.

Ndërkohë, nga ana tjetër, gjenocidi serb nuk po ndëshkohet dhe po vendoset paqja para drejtësisë. Po merret me të mirë Serbia dhe po pretendohet që kështu të vihet paqe e stabilitet në rajon. Këto pretendime kanë nisur qysh me librin e Carla del Ponte dhe raportit të Dick Marty-t dhe ata kanë rënë pre e propagandës serbe. Për çka ata flasin nuk ka pasur fakte ndonjëherë. Raporti i Dick Marty-t flet për shtëpinë e verdhë dhe trafikim organesh. Mbi këtë raport është ngritur edhe task forca e BE-së nëse ka bazë për këto pretendime. Në vitin 2014, kjo task forcë ka dalë në përfundimin se nuk ka gjetur prova për këto pretendime.

Salihu shtoi se aktakuza e parë është për rrahje çka e bën çështjen tragjik-komike duke goditur UÇK-në dhe themelin e shtetit të Kosovës.

Salihu:Ajo që ka ndodhur pastaj, është se ky sulm ka përfunduar në mënyrë qesharake për rrahje, që është qesharake. Kjo është një nxirje imazhi për Kosovën. Aktakuza e parë është për rrahje çka e bën çështjen tragjik-komike duke goditur UÇK-në dhe themelin e shtetit të Kosovës. Pavarësia e Kosovës është ngritur në një narrativë të qartë dhe një ndërhyrje nga ndërkombëtarët, duke pasur të qartë se njëra palë është viktima dhe tjetra qartësisht agresori. Kjo lidhje po mundohet që të goditet, duke goditur edhe arsyetimin e NATO-s në Kosovë. Kështu goditet edhe arsyeja e shtetit të Kosovës.