Ministri Cakaj takim me përfaqësues nga Medvegja: Mbështetje financiare dhe politike për çeljen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me deputetin e Komunës së Medvegjës Muharrem Salihu dhe përfaqësuesin e klubit “Trojet” Gani Syla.
Gjatë diskutimeve thelbi është vendosur mbi gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Komunën e Medvegjës për shkak të fshirjes së adresave.
“Përderisa kjo po dëmton faktorin shqiptar atje, u pajtuam plotësisht për rëndësinë e një qasje të bashkërenduar të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë”, ka thënë Cakaj në llogarinë tij në Facebook.
Sakaq ministri në detyrë Cakaj njoftoi edhe për mbështetjen financiare dhe politike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për çeljen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë, si një instrument shtesë për t’iu dhënë zë shqetësimeve e mbështetje konkrete shqiptarëve të Medvegjës.