Ish-zëvendësministri Dugolli: Krerët e UÇK në Hagë, në Tiranë, Beograd e Prishtinë flitet për minishengenin
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Enver Dugollin, insiston se ideja e minishengenit ballkanit është e gabuar dhe në favor të Serbisë.
Dugolli: Për ironi të fatit, ndërsa krerët e UÇK gjykohen, në Kosovë, Beograd dhe Tiranë vazhdojnë përpjekjet për krijimin e minishengenit që është një projekt jo vetëm i dëmshëm në këtë moment por edhe i parealizueshëm për shkak se Serbia asnjëherë nuk kërkoi falje dhe më e keqja ajo mohon krimet e kryera në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe, nga strukturat paralele që kryen masakra të tmerrshme në Kosovë.
Në funksion të kësaj sot kryeministri Rama firmosi marrëveshje online me Serbinë që qytetarët shqiptarë të udhëtojnë drejt Beogradit vetëm me karta ID.
Reagimet nuk munguan nga Kosova. Keqardhje shprehu edhe e bija e Jakup Krasniqit. Dugolli për RTV Ora thote se reagime të tilla janë legjitime përballë një drejtësie selektive.
Dugolli: Familjarët por edhe njerëzit që ja duan të mirën në radhë të parë Kosovës, shqiptarëve por edhe rajonit janë të brengosur me këtë qasje për shkak se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme me një drejtësi selektive. Kjo është drejtësi selektive, e padrejtë, e pabarabartë ndaj shqiptarëve. Ndërsa serbët përparojnë në proceset e anëtarësimit duke heshtur dhe mohuar krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës.
Përkundër të gjithave Specialja tashmë është realitet dhe duket se nuk ka kthim pas.
Dugolli: Tani është vonë dhe çdo përpjekje që të pengohet kjo gjykatë është gabim dhe një dëm që mund ti bëhet edhe më shumë Republikës së Kosovës. Tani është radha që ata që deklaronin se kjo gjykatë do të tregojë se lufta e UÇK ishte e drejtë dhe e pastër le ta tregojnë, zoti Thaçi dhe Veseli. Ishte një gabim i madh strategjik për shkak se lufta e UÇK ishte dhe është e pastër nuk ka pasur nevojë të testohet me gjykata speciale.
Jashtë vëmendjes nuk mbeti edhe mungesa e simboleve të Kosovës në seancat e sotme për Krasniqin dhe Thaçin.
Dugolli: Këtë e vërejti dhe avokati i Thaçit. Qeveria e Kosovës nuk duhet të heshtë, nuk është vetëm sa për të thënë. Ajo gjykatë është e Kosovës, e institucioneve të Kosovës, është në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe duhet të ketë dhe simbolet e Kosovës.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana