Humbi jetën gjatë rrëzimit të urës Morandi, përjetësohet në vendlindje Admir Bokrina

Në Shkodër një rrugë e rikonstruktuar së fundmi ka marrë emrin e Admir Bokrinës, emigrantit shqiptar që humbi jetën në Xhenova të Italisë dy vite më parë pas shembjes së urës atje.Ka qenë vetë familja që ka kontribuuar për rikonstruktimin e rrugës dhe ka shprehur dëshirën që ajo të mbajë emrin e djalit të tyre.

Kjo rrugë në njësinë administrative Ana e Malit, prej kësaj të hëne ka marrë emrin “Admir Bokrina”, emigrantit shqiptar që humbi jetën 2 vite më parë në tragjedinë e Xhenovas në Itali si pasojë e shembjes së urës Morandi.

Përjetësimi i emrit të tij në këtë rrugë të vendlindjes, erdhi pas kontributit që dha familja e tij në bashkëpunim me pushtetin vendor për ta rikonstruktuar.

Familjarë, banorë të zonës dhe drejtues vendore e cilësuan rastin e 32 vjeçarit të ndjerë, si shembullin që përfaqëson një pjesë të madhe të shqiptarëve, atë të njeriut model që kërkoi një jetë më të mirë larg vendlindjes.

Ceremonia u zhvillua në ditën e lindjes së Admir Bokrinës, ndërsa i pranishëm ishte edhe babai i të riut tjetër shqiptar që humbi jetën në këtë tragjedi, Marjus Djerri.

Tragjedia e 3 gushtit të 2018 në Xhenova të Italisë u mori jetën 43 personave.