Radha e ambulancave në oborrin e Infektivit, Rakacolli: Normale kur ka shtim të rasteve; Brataj: Është një minispital
Pamjet para Spitalit Infektiv përgjatë fundjavës kanë qenë shqetësuese, me autoambulanca të panumërta që prisnin radhën para spitalit me të sëmurë për tu akomoduar.
Por nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve kjo situatë konsiderohet normqle në kushtet e shtimit të numrit të rasteve.
Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli dhe kreu i Urgjencës Kombëtare Skëndër Brataj theksuan faktin se autoambulanca tashmë nuk është thjesht një mjet transporti për pacientin por ka të gjitha pajisjet, barnat dhe personelin e duhur për ti ofruar asistencë të sëmurit deri në akomodimin në spital.
Brataj: Radha e autoambulancave në spitale është normale.Nga grada e parë kaluam te e dyta dhe te QSUT kemi dy spitale Covid. Normalisht numri i autoambulancave është dyfishi. Procedura e shtrimit në spital ka anën administrative dhe koha fizike që duhet për të sistemuar këto të sëmurë. Por nuk është se autoambulancat vijnë para spitaleve dhe pacientët janë të abandonuar.Sot ambulanca është një minispital që e ndaluar para spitalit vazhdon të bëjë asistencën e të sëmurëve.Asistenca me oksigjen ka vazhduar dhe do të vazhdojë.
Ndërsa Rakacolli insistoi se periudha e qëndrimit para spitalit është për të bërë vlerësimin e gjendjes së pacientit.
Ajo përjashtoi mundësinë e hapjes së Covid 4 në këtë situatë, aq më pak të spitaleve rajonale.
Rakacolli: Është normale që në momentin kur shtohen rastet do të shoqërohet me shtim të rasteve që kanë nevojë për shtrim spitalor.Ndejtja nuk është për shkak të mungesës së kapaciteteve, personat shihen, bëhet një lloj vlerësimi. Janë gjithmonë të vëzhguar nga mjekë, personel dhe gjithmonë të monitoruar. Nuk janë ambulanca transportuese por monitoruese dhe kanë oksigjen. Është normale kur ka fluks të shtuar. Për momentin nuk shihet e nevojshme, jemi në zbatim të skenareve. Nëse do të mbushet Covid 3 do të shkojmë te Covid 4 pastaj në spitalet rajonale.
Silva Bino nga ana tjetër theksoi se çdo person që dyshohet për koronavirus duhet të izolohet pavarësisht testimit apo jo të tij.
Sa i takon shkollave, Rakacolli përjashtoi një mbyllje të tyre me argumentin se "sot për sot shkollat nuk kanë influencuar në një rëndim të situatës".