Mbushet Infektivi/ Familjarët në ankth pas kangjellave, nuk u jepet informacion, gabime dhe me emrat e viktimave
Numri i lartë i të infektuarve me koronavirus ka vënë në vështirësi spitalin Infektiv. Dhjetëra familjarë të të prekurve presin prej ditësh për të marrë informacion, por pa mundur të marrin të dhëna. Po ashtu denoncimi për pritje me orë për tu shtruar pasi nuk ka më vende, janë raste të shtuar. Nuk kanë munguar as ngatërresat me pacientët që kanë humbur jetën.
Të hënën kangjellat rrethuese te spitalit Infektiv ishin të mbushura me qytetarë, të afërm të të cilëve ose prisnin të shtroheshin, ose ishin akomoduar.
Nuk kërkojnë shumë, nga stafi i spitalit kërkojne vetëm të informohen për gjendjen shendetësore të të afërmve të tyre.
Sipas tyre, pacientët janë lënë për orë të tëra në korridoret e spitalit, pasi dhomat ishin të zëna.
"Në 07:30 është nisur nga Durrësi, ka ardhur në 8-9:00 këtu.E kanë në karrocë dhe e kanë lënë në korridor".
Pavarësisht rrezikut të infektimit me koronavirus, këta qytetarë qëndrojnë me orë të tëra jashtë spitalit.
Disa i kanë humbur të afërmit dhe kthehen në spital vetëm për një korrigjim të identitetit.
Familjarët denoncojnë se kanë ngatërruar identitetin dhe nuk mund ti çregjistrojnë nga gjendja civile.
"Fëllëza, Thëllëza, shko te Gjendja Civile dhe thotë Fëllëza me Thëllëza ndryshojnë, nuk e çregjistrojnë. Ky thotë prit të dalë kordinatori."
Njësoj si një ditë më parë, në oborrin e spitalit Infektiv qëndrojnë autoambulanca në pritje për të akomoduar pacientin që kanë transportuar.
Mësohet se një numër i konsiderueshëm pacientësh janë transferuar te spitali Covid 3 për të menaxhuar fluksin e urgjencave te Infektivi.