Studentët i thonë jo mësimit online

Edhe pse kanë kaluar dy javë nga nisja e vitit të ri akademik, shumica e studentëve në Universitetin "Fan Stilian Noli" në Korçë nuk kanë nisur as online.

Por për studentët është e domosdoshme që ata të kthehen në auditore.

Këshilli Studentor në Korçë pas një takimi të hënën, ka vendosur që nëse deri me datën 2 dhjetor nuk do të kthehen në fakultete, do ta bojkotojnë procesin.

"Këtë muaj do ta zbatojmë por prej datës 2 presim të ndryshojë vendimi dhe të fillojë rikthimi në auditore."

Përfaqësuesit e studentëve shprehen se shumë studentë nuk kanë mundësi ekonomike të zhvillojnë mësimin online.

"Shumë janë me ndihmë ekonomike dhe nuk kanë mundësi të kenë smartphone apo laptop."

Ata thonë se  mungon infrastruktura e duhur për të vijuar mësimin dhe një pjesë nuk dinë të përdorin platformën online.

Krahasuar me 1 vit më parë, në Universitetin e Korçës ka pasur numër më të madh regjistrimesh nga të rinjtë, por ata sot janë të pakënaqur me mësimin online dhe mungesa e marrjes së plotë të njohurive pritet të reflektohet në sezon provimesh.