Seanca për Luan Dacin, ekspertët e Avokatit të Popullit: Nuk e pyetëm nëse ishte shkarkuar

Anëtari i pezulluar i KPA-së, Luan Daci, është përballur në gjykatë me dëshmitë e ekspertëve të Avokatit të Popullit, të cilët kanë sqaruar procedurën e përzgjedhjes së tij. Ata kanë pranuar se i kanë kërkuar subjekteve dokumentat të cilat ishin përcaktuar në rregullore por pranuan se nuk e kishin pyetur Dacin nëse kishte qenë më parë i shkarkuar nga detyra.

Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit u thirrën dëshmitarë në seancën e radhës që janë pyetur nga Gjykata e Posaçme, në procesin ku i pandehur është anëtari i KPA-së, Luan Daci.

Ata janë pyetur në lidhje me përzgjedhjen e kandidaturave për KPA dhe dokumentat që u kanë kërkuar kandidatëve, mes të cilëve edhe Luan Daci, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh në dosjen me të cilën aplikoi për tu bërë pjesë e trupës së vettingut në shkallën e dytë.

Mësohet se përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë treguar rreth dokumentacionit që kanë verifikuar ndërsa kanë pranuar se nuk i kanë kërkuar dokumentin nëse ka qenë apo jo i shkarkuar, por vetëm dokumenta të tjerë nesë ka patur ndjekje penale apo për vjetërsinë si jurist.

Pas dëshmisë së tyre gjykata ka ftuar palët që në seancën e radhës të paraqesë kërkesën për administrimin e provave shkresore dhe më pas do të jetë prokuroria ajo që do të japë konkluzionet përfundimtare.

Të hënën Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për vendimin për mosfillimin e procedimit penal për komisioneren e KPK-së, Suela Zhegu.

Zhegu u kallzua në SPAK nga ish-gjyqtari Alaudin Malaj, i cili e akuzon për falsifikim të dokumentave.

Prokuroria e Posaçme vendosi mosfillimin e procedimit me argumentin se nuk ka vepër penale.