Jo vetëm pa aeroport, fshati Akërni në Vlorë pa rrugë e ujë
Fshati Akërni po përballet me probleme të shumta në infrastrukturë pesë vite pasi kryeministri Edi Rama premtoi ndërtimin e aeroportit të Vlorës në këtë zonë.
“Ruga është e pakalueshme fare, as me makinë e as në këmbë. Nuk duam ndricim , ne duam një copë asfalt. Shpresa vdes e fundit, por ne do vdesim para shpresës”, shprehet një nga banorët
Për ujin e pijshëm banorët thonë se paguajnë dy herë. Sipas tyre kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli i ka takuar vetëm gjatë fushatës kur premtoi ndyshime të cilat nuk u bënë asnjëherë realitet.
“Kryesorja është rruga dhe uji. Uji këtu tek ne nuk pihet, ne paguajmë një herë faturën mujore, por paguajmë edhe një herë që e blejmë, na shkon dopjo”, shprehen banorët.
Tokat bujqësore të fshatit përmbyten sa herë që bie shi ndërsa banorët thonë se pavarësisht dëmeve ndër vite, asnjëherë nuk kanë marrë dëmshpërblim.
“Këtu nuk ka rrugë ,s’ka asgjë jemi zero. Unë kas 500 krerë dhen, mbjellim tokat por kanalizimet janë zero. Një vesë shi ka rënë këtu dhe janë përmbys të gjitha , të mbjellat janë komplet në ujë. Po të investoj shteti këtu nuk ikën e gjithë rinia”, shprehet banori.