Me Covid ai dhe bashkëshortja, KLGJ shtyn për në 12 nëntor vendimin për gjyqtarin Kuqo

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtyrë marrjen e vendimit për shkarkimin ose jo të gjyqtarit Markelian Kuqo për në 12 nëntor. Kjo është hera e tretë  që KLGJ shtyn vendimin për gjyqtarin.

Shkak është bërë mosparaqitja e tij në seancë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Dyshohet se gjyqtari së bashku me bashëshorten e tij janë infektuar nga koronavirusi.

Kreu i ILD-së, Artur Metani, tha se instititucioni që ai drejton nuk ka arsye përse të vërë në dyshim justifikimin e magjistratit, ndaj edhe dha dakordësinë për shtyrjen e seancës.

Seanca tjetër u caktua me 12 nëntor ora 12:00.

Në seancën dëgjimore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin e tij gjyqtarit Kuqi, për vendimin e këtij të fundit për të liruar  kriminelin, Gerd Gjenerali.

Sipas drejtuesit të ILD-së Artur Metanit, vendimi i Kuqos është i padrejtë dhe ‘cenon imazhin e sistemit gjyqësor’. Metani theksoi se lirimi me kusht i një të dënuari përsëritës për vepra të rënda penale, përbën rrezik për komunitetin.

Ai e quajti gjyqtarin Kuqo ‘të padenjë për të vijuar detyrën’.

Ndërsa gjyqtari Kuqo e quajti procesin ndaj tij ‘të nxituar’ dhe me ‘qëllime të paracaktuara’.

Ai e justifikoi vendimin për lirimin e Gjeneralit me dokumentet nga burgu i Drenovës ku thuhej se i burgosuri mund të integrohej në shoqëri.