OFL u kërkon deklarimin e pasurisë 8 të dënuarve, mes tyre vrasësi i policit në Lazarat dhe trafikantja e heroinës
Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 8 shtetasve të dënuar për vepra të lënda penale nga trafikimi i lëndëve narkotive te vrasja e punonjësit të policisë.
Mes tyre është edhe Arbjon Aliko, një nga të dënuarit e grupit të Lazaratit, si autori i sulmit ndaj policisë në vitin 2015 dhe ekzekutimin e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, i cili është duke vuajtur dënimin e përjtetshëm në burgun e Drenovës. Aliko njihet si një nga personat që hapi zjarr mbi Policinë gjatë aksionit ku u sekuestruan tonelata të tëra droge.
Vetëdeklarimi i pasurisë i kërkohet shtetases Aurela Doksani, 43 vjeç, lindur në Fier, e cila u ekstradua pak kohë më parë nga Greqia. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Deklarimi i pasurisë u kërkohet shtetasve si më poshtë:
-Aurela Doksani (Rronja), banuese në Fier, e dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
-Selfo Driza, banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
-Mario Aliaj, banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
-Llambro Dako, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë;
-Arbjon Aliko, banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, në pesë raste;
- Shpëtim Kolgjini, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
-Myrvet Balliu, banues në Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
-Sabri Sopoti, banues në Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.