Specialja, si një mundësi për t’iu dhënë fund thashethemeve

Një gjë duhet thënë qartë dhe menjëherë: Deklarata e Kadri Veselit para shkuarjes në Hagë është dinjitoze: «Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Specialen s’e shoh si fyerje, por si mundësi për t’iu dhënë fund thashethemeve».

Kjo deklaratë tregon se Veseli është politikisht më i pjekur se ata që bëjnë sikur kanë muskuj të sabotojnë drejtësinë. A është kjo drejtësi pa asnjë njollë? Jo, s’mund të jetë. Por kur 20 vjet një shoqëri përballet me vrasje politiko-etnike, kur zhduken apo vriten dëshmitarë potencialë, kur dëshmitarët kërcënohen dhe denoncohen si tradhtarë dhe heshtja vazhdon, atëherë, një ditë, bashkësia ndërkombëtare e prezanton faturën. Në atë faturë mund të ketë edhe të pavërteta. Por shansi i vetëm për t’i rrëzuar ato është gjykata.

Shoqëria kosovare nuk e pati fuqinë të përballet me këtë kapitull, as bartësit e funksioneve politike. Disa nga këta që po i thërret Haga para 10 vitesh kanë deklaruar për mediat perëndimore:

“Unë jam i hapur për hetime të tjera”, “Propozoj një komision ekspertësh ndërkombëtarë...”, “Këtu është vështirë (të mbrohen dëshmitarët). Shtetet perëndimore mund ta bëjnë këtë”. Pra, hapur është pranuar që si shtet e shoqëri Kosova nuk ka kapacitet për t'u përballur me një kaptinë të historisë së saj.

Nëse ndokush ka menduar se Gjykata Speciale themelohet, por s’do të ketë të akuzuar, atëherë kjo tregon naivitet kolosal. Por kjo nuk do të ishte hera e parë që disa njerëz bien viktimë e naivitetit të tyre të përzier me emocione e shfryrje “patriotizmi të kafehaneve”. Ky lloj “patriotizmi” duhet të zëvendësohet me patriotizëm që beson në ligj, në Kushtetutë dhe institucione. Të shpresojmë që një shtet të tillë funksional do ta gjejnë kur të kthehen nga Haga edhe ata që aktualisht po shkojnë atje.