Shkodra në festë: Vajzat e Vllaznisë kalojnë në turin tjetër të Champions League
Gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë i dhanë Vllaznisë së futbollit të femrave kualifikimin për në raundin tjetër të Champions League.
Goditjen e gabuar të Doçit e kanë rekuperuar Franja, Bajraktari e Gjini, ndërsa dhe lojtaret turke kanë gabuar me anë të Deria Arhan, Ajçan Janaç dhe Esen.
Festa është e gjitha e shkodraneve, që e kanë merituar këtë kualifikim, pasi luajtën për gati 35 minuta me dhjetë futbolliste pas daljes me të kuq të Currajt në fundin e lojës.
Një ndeshje emocionuese në “Loro Boriçi” përballë turkeve të ALG Spor.
Gjashtë gola të shënuar, dy herë kanë kthyer rezultatin mysafiret dhe vetëm në frymën e fundit Bajraktari i jep shansin Vllaznisë ta kërkojë fatin tek pika e bardhë e penalltive.
Pas kalimit të turit të parë, shkodranet kërkojnë të ecin me tej dhe për këtë shpresat i kanë tek shorti që do të hidhet për të mësuar kundërshtarin e radhës.
Nëse tek futbolli i meshkujve Vllaznia në gjithë këto vite ka notuar në ujra të turbullta, krejt prezantim tjetër kanë bërë vajzat kuqeblu, kampionë absolute të kampionatit shqiptar.