Futbolli starton sonte me Kupën e Shqipërisë, të mërkurën Superiorja. Duka i kujton Ramës premtimin, keqardhje për tifozët
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar klubet për edicionin e ri 2020-2021. Në një mesazh të publikuar në faqen e tij zyrtare, Duka kërkoi respektim rigoroz të protokolleve shëndetësore gjatë ndeshjeve ndërsa e cilësoi bojkotin si një vendim radikal por të nevojshëm për të arritur qëllimin.
Ditën e mërkurë, datë 4 nëntor, rinis Kategoria Superiore, ndërsa këtë të dielë nis Kupa e Shqipërisë, duke i dhënë fund kështu edhe bojkotit disa-javor të futbollit në vend.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka përcjelllë një mesazh për nisjen e edicionit të ri futbollistik 2020-2021, ku shkruan se më në fund të gjithë sportdashësit do të mund të shohin futbollin e luajtur pas një periudhë vërtetë të vështirë e plot peripeci për vendin.
"Si kurrë më parë do të kemi një edicion në mesin e një pandemie, që ka pllakosur globin dhe ka krijuar vështirësi të mëdha për të gjithë shoqërinë. Ndeshjet do të zhvillohen duke u bazuar në protokollet strikte shëndetësore dhe në rregullat e distancimit social".
Starti i këtij edicioni futbollistik është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e futbollit. Duka kujton se përveç pandemisë, ky fillim edicioni u shoqërua edhe me bojkotin e kampionatit nga Liga Profesioniste e Futbollit. Ata i drejtuan qeverisë katër kërkesa të drejta.
"Ne kemi marrë një premtim nga Kryeministri për zgjidhjen e problemit. Dhe tashmë shohim dritë në fund të tunelit. Presidentët dhe futbollistët, vlerësuan dhe respektuan sakrificat e futbollistëve për të pranuar një zgjidhje që do të jetë nisja e rrugës drejt ripërtëritjes dhe ecjes përpara. Jam shpresëplotë se jemi në rrugë të mbarë për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për t’i dhënë një të ardhme më të mirë sportit dhe brezave që do të vijnë".
E ndërsa sot nis një rrugë e gjatë e mbushur me emocione e ngjarje që do të mbeten në histori, Duka ka një keqardhje.
"Keqardhja më e madhe e imja, është që për momentin nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt situata pandemike të përmirësohet dhe tifozët të kthehen në stadiume, qoftë edhe pjesërisht, për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës".