Mësimi online i pamundur, studentët kërkojnë mësim të alternuar, dorëzojnë në Ministri të tjera kërkesa

Një grup studentësh kanë protestuar përsëri këtë të martë para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar mësimin e alternuar mes atij në distancë dhe në auditore.  Duke treguar edhe vështirësitë e mësimit online, theksuan se shumë nuk kanë as mundësi për të aksesuar në programin në internet. Madje shumë u shprehen së programi nuk funksionon.

Me distancë fizike, maska dhe dezinfektantë studentët dolën përsëri në protestë.

Ndonëse më të paktë në numër se një ditë më parë, ata përsëritën kërkesën e tyre kryesore.

"Jo mësim online!"

Këtë të martë iu bashkuan edhe kalimtarë të rastit.

"Po kaloja rrugës për punët e mia, ishte mesazhi që dhatë të shkojmë në lokale dhe të bëjmë mësim meqë lokalet janë të hapura që ndalova."

Nga eksperienca e një viti më parë, studentët tregojnë vështirësinë e mësimdhënies online.

Procesi është ende konfuz për vitet e para, ku mjaft theksojnë se ende nuk kanë marrë adresën se ku do të ndjekin leksionet apo seminaret.

"Kjo platformë nuk e di fare sesi bëhet."

Të tjerë tregojnë se për shkak të pamundësive teknike kanë humbur edhe dijet e një viti.

"Vëllai im nuk mundi ta ndiqte totalisht, zero. Jetonte në një zonë ku nuk aksesonte dot në interent dhe nuk kishte pajisjet e nevojshme."

Protesta zgjati për rreth 2 orë e më pas efektivë të policisë kërkuan shpërndarjen e të rinjve, çka solli edhe momente tensioni.

Në ditën e dytë të protestës, të rinjtë depozituan kërkesa të tjera në Ministrinë e Arsimit.

"Mësimi të bëhet i alternuar, përgjysmim të tarifave për vitin 2020-2021."

Në hyrje të Minsitrisë ata u përballën me rezistencën e efektivëve privatë.

"Nuk mund ta ruani institucionin nga studentët, është i studentëve."

Pas negociatave u lejuan të hyjnë në institucionin që vendos politikat për univesitetet, ku dhe dorëzuan peticionin.

"MAS ka protokolluar kërkesën tonë, tani ne presim  përgjigje."

Protestuesit e lanë të hapur mundësinë e një proteste të tretë, ndërsa deklaruan se do të jenë në pritje të reagimit të Ministrisë së Arsimit.